2007-10-30 18:18:20

Imzot Miliore flet në OKB për zhvillimin e qëndrueshëm dhe sfidat ambientale.


(30.10.2007 RV)Emergjenca ambientale është sfidë morale, ndërsa çrrënjosja e varfërisë mbetet objektivi parësor për zhvillimin e qëndrueshëm. Këto janë disa nga pohimet e vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, kryeipeshkvit Çelestino Miliore, në sesionin e 62-të të asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në fjalimin e mbajtur me këtë rast, kryeipeshkvi nënvizoi se mbrojtja e ambientit nuk duhet shikuar si pengesë, që i kundërvihet zhvillimit. Madje një mbrojtje e tillë – pohoi prelati – i shërben krijimit të një vizioni më pozitiv të jetës njerëzore. Njeriu nuk mund e nuk duhet të jetë në kundërshtim me ambientin, sepse ndërmjet tyre ekziston një besëlidhje e përhershme. Prandaj nuk duhet ta flijojë kurrë në elterin e ekonomisë, detyrën për ta mbrojtur mjedisin. Prej këndej, emergjenca ambientale bëhet sfidë morale, që e shikon si të nevojshme analizën e përdorimit dhe të shpërndarjes të burimeve të tokës. Ambienti është i pandarë nga çështje si ekonomia, paqja, drejtësia, interesat kombëtare e solidariteti ndërkombëtar. Ndërsa kërkohet rruga e më e mirë për të mbrojtur ambientin, duhet punuar edhe për promovimin e drejtësisë në shoqëri e ndër kombe. Duhet pasur mirë parasysh se sot, në shumë vende të botës, të varfërit janë në kontakt më të ngushtë me degradimin ambiental; janë pikërisht ata që jetojnë në troje të ndotura, në zona pranë mbeturinave helmuese, pa kurrfarë shërbimi të bazës. Shumë prej tyre shkatërrojnë pyjet për të mbijetuar, duke ushqyer kështu rrethin vicioz të varfërisë e të degradimit. Gjithsesi skena e sotme nuk është vetëm e errët: ndërmjet shenjave inkurajuese, imzot Miliore theksoi thellimin e ndjenjës së përgjegjësisë së publikut mbi temat ambientale, gjë që ndikon pozitivisht mbi zhvillimin e përgjithshëm të njerëzimit. Por – shtoi prelati - është e nevojshme që shenjat pozitive të gjejnë shprehjen e vet në politika publike, të afta për të frenuar dëmtimin e mëtejshëm të ambientit dhe për t’i mobilizuar të gjithë njerëzit vullnetmirë në mbrojtje të tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.