Papa presidentit Nikanor Duarte Frutos: “Uroj që Paraguai të vijojë përpjekjet për
të mirën e përbashkët, duke u frymëzuar nga vlerat e krishtera”.
(29.10.2007 RV)Roli i Kishës dhe i shtetit për të mirën e popullit të Paraguait,
ishte tema kryesore e takimit të Benediktit XVI me presidentin paraguaian, Nikanor
Duarte Frutos, i cili u prit sot në Vatikan me bashkëshorten e grupin shoqërues. Pas
audiencës tek Papa, presidenti i Paraguait u takua edhe me sekretarin e Shtetit të
Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone si dhe me kryeipeshkvin Dominik Mambertì, sekretar
i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet. Takimet e përzemërta – njofton një notë e
Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - shërbyen për të prekur temat më të mprehta
aktuale me interes të përbashkët, duke nisur nga situata e sotme në vend, tek roli
i veçantë që luajnë Kisha e shteti në jetën politike dhe në zhvillimin njerëzor, moral,
edukativ e shoqëroro-ekonomik të kombit paraguaian. Në përfundim të vizitës – urimi
që shoqëria e Paraguajt të vijojë përpjekjet në shërbim të së mirës së përbashkët,
ligjshmërisë e paqes shoqërore, e frymëzuar nga vlerat e krishtera të drejtësisë dhe
të respektit reciprok ndërmjet të gjithë nënshtetasve.