2007-10-29 18:22:08

Kryeprokurori i Shqipërisë nuk paraqitet në komisionin "Sollaku 2" e lajme të tjera


(29.10.2007 RV)Kryeprokurori i Shqipërisë, Theodhori Sollaku nuk u paraqit sot në Komisionin hetimor “Sollaku 2”. Përmes një letre dërguar zyrës së Kuvendit, kreu i organit te akuzës pretendon se komisioni po shqyrton konkluzione e jo faktet që mund të çojnë në shkarkimin e tij. Sollaku shkruan se nuk i është vënë në dispozicion asnjë material, që përmban faktet, objekt i hetimit të komisionit, e si rrjedhojë nuk mund të mbrohet. Sollaku ka premtuar të paraqitet, në momentin kur do të ketë në dorë faktet. Gjithashtu, nuk ishin të pranishëm deputetët e opozitës, për të cilët mbledhja e komisionit është antikushtetuese. Seanca e ardhshme do të zhvillohet nesër.


Ushtria turke ka rrethuar sot njëqind rebelë kurdë në një zonë malore në kufirin juglindor turk, pranë Irakut dhe Iranit. Duke mos mundur të kthehen mbrapsht, kurdët janë fshehur nëpër male, nga ku ushtria po mundohet t’i nxjerrë. Ndërkaq, në Tunçeli, në Turqinë qendro-lindore, një ushtar turk humbi jetën nga shpërthimi i një mine. Në zonë ndodhen 8 mijë ushtarë turq, të cilët marrin pjesë në operacione ushtarake. Bagdadi e konsideron të rëndësishme krizën me Turqinë, ndërsa SHBA kanë deklaruar se Ankaraja ka të drejtë të kërkojë ushtarët e rrëmbyer nga kurdët, por nuk duhet të shkojë më tej. Në Irak, në dy atentate të ndryshme janë vrarë 32 vetë, ndër të cilët 28 policë.


Kryeministri izraelit Ehud Olmert është i sëmurë me tumor, por ka ndërmend të vazhdojë të qëndrojë në detyrë. Pas disa muajsh do t’i nënshtrohet një operacioni mjekësor.


Argjentina ka një presidente grua. Është kandidatja e Frontit për Fitoren, 54 vjeçarja Kristina Fernandez Kirhner, e cila më 10 dhjetor do të zërë vendin e të shoqit, Nestor Kirhner. Presidentja e re mori 44,7% të votave. Pjesëmarrja në votime ka qenë më e ulta pas rikthimit të demokracisë, më 1983. Në zgjedhje morën pjesë vetëm 74,11% e votuesve.







All the contents on this site are copyrighted ©.