2007-10-29 17:25:20

Karl Gurakuqi në 112-vjetorin e ditëlindjes


(29.10.2007 RV)Figurë e njohur e kulturës shqiptare, nxënës i shkollës letrare të françeskanëve, bashkëpunëtor i ngushtë në mërgim, i jezuitit të madh, Atë Zef Valentinit, Karl Gurakuqi lindi më 29 tetor 1895 në Shkodër. Mësimet fillore dhe të mesme i kreu pranë shkollës françeskane në vendlindje. Studimet e larta në degën e filozofisë i vijoi dhe i përfundoi në Salcburg e më tej, në Grac të Austrisë, ku u formua një pjesë e intelektualëve më në zë të viteve '30, që hodhën themelet e kulturës moderne shqiptare.
Pas përfundimit të studimeve, më 1917, u kthye menjëherë në atdhe, ku punoi si profesor i gjuhës shqipe dhe si inspektor arsimi në Vlorë. Bashkëpunoi me të përkohshmet e ndryshme, ku botoi shumë artikuj, të cilët përbëjnë një kontribut të çmuar në fusha të ndryshme të gjuhësisë. Drejtoi të përkohshmen "Agimi", "Revistën pedagogjike", "Mësuesi", "Shkolla kombëtare". Qe redaktor i revistave "Atdheu" dhe "Illyria". Bashkëpunoi në botimin e "Vizareve të Kombit" dhe të "Shkrimtarëve shqiptarë” - dy vëllime me vlera të jashtzakonshme për historinë e letërsisë shqipe.
Sundimi diktatorial e detyroi të largohej fizikisht nga atdheu, por shpirtërisht ai mbeti gjithnjë pranë Shqipërisë. U vendos në Palermo, ku u bë krahu i djathtë i Profesor Atë Zef Valentinit, që kishte ngritur atje katedrën e gjuhës shqipe - një nga tri kështjellat e shqipes, ndërsa dy të tjerat ishin në Romë - me profesor Ernest Koliqin e në Bari, me profesor Atë Jakob Marlekajn. Bashkëpunoi ngusht në revistën zëmadhe "Shejzat", duke hartuar edhe indeksin e Revistës "Nëpër vullajt e Shejzave"
Në fushën e teksteve të punuara prej tij, kujtojmë "Gramatikën latine", "Sintaksën latine"; "Te praku i jetës", "Rreze drite" etj.
I tij është edhe përkthimi i Gjenovefës së Brabantit, që pati aq shumë lexues gjatë një gjysëm shekulli.
Karl Gurakuqi vdiq më 1971 në Palermo, ku eshtrat e tij presin që dikush të kujtohet t'i mbartë për të pushuar në paqe në Atdheun, të cilit i kushtoi gjithë jetën.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.