2007-10-29 17:24:00

Benedikti XVI farmacistëve katolikë: kundërshtojini mjekimet që rrezikojnë jetën. Shtëpitë farmaceutike të ndihmojnë për mjekimin e të varfërve.


(29.10.2007 RV)RealAudioMP3 “Shkencat biomjekësore duhet të jenë në shërbim të jetës e jo anasjelltas, dmth nuk duhet t’u shërbejnë eksperimentimeve farmaceutike, por mjekimit të njeriut dhe sigurimit të mjekimeve solidare për vendet e varfëra. E duhen kundërshtuar si të papranueshme për ndërgjegjen prodhimet që shkaktojnë abortin ose eutanazinë. Farmacisti luan një rol delikat. Ai e ndihmon të sëmurin për të shpëtuar nga sëmundja. Por në asnjë rast i sëmuri nuk duhet parë si kavie që i shërben përparimit të shkencës në vetvete, shkëputur nga njeriu”. Këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën me pjesëmarrësit në Kongresin ndërkombëtar të farmacistëve katolikë, që vijon në Romë, me të cilët u takua sot paradite në Sallën Klementine në Vatikan. Papa vijoi të fliste për rolin mjekësor e edukativ të farmacistit, por edhe për përgjegjësinë e madhe etike me të cilën e ngarkon njeriun ky profesion, që duhet të jetë gjithnjë në shërbim të njeriut, që nga çasti kur zihet embrioni, deri në çastin e perëndimit të jetës. Farmacisti duhet ta mbrojë njeriun nga lindja deri në vdekje e duhet t’i përdorë ilaçet në mënyrë që ta luajnë si duhet rolin e tyre: të lehtësojnë sëmundjen e dhimbjen:
“Nga ana tjetër asnjë njeri nuk mund të përdoret si objekt për realizimin e eksperimenteve terapeutike; ato duhen bërë sipas protokolleve që respektojnë normat etike themelore, gjithnjë në perspektivë të mirëqenies së njeriut e jo thjeshtë të progresit shkencor”.Papa i nxiti farmacistët katolikë ta jetojnë me fe profesionin, t’i ndihmojnë moralisht të sëmurët e të japin kontributin e tyre solidar në fushën mjekuese, duke krijuar kushtet e përshtatshme për mjekimin e të gjitha shtresave të popullsisë, në të gjitha vendet e botës e duke pasur mirë parasysh sidomos më të varfërit.
Shkencat biomjekësore janë në shërbim të njeriut – tha në përfundim Ati i Shenjtë – po të mos ishte kështu, do të kishin karakter indiferent e çnjerëzor. Çdo njohuri shkencore në fushën e shëndetësisë e çdo hap mjekues përpara është në shërbim të njeriut të sëmurë, të marrë në tërësinë e tij, si partner aktiv e i pavarur në mjekimin që i bëhet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.