2007-10-27 16:45:40

Papa ambasadorit të ri të Ekuadorit: “Duhet punuar për krijimin e një rendi të re shoqëror që promovon bashkëjetesën paqësore”.


(27.10.2007 RV)Sot paradite Papa priti në audiencë ambasadorin e ri të Ekuadorit pranë Selisë së Shenjtë, Fausto Kordovez Kiriboga, që i paraqiti letrat kredenciale.
Duke cituar kushtetutën baritore ‘Gaudim et Spes’, Benedikti XVI ripohoi se Kisha katolike, me shërbimin e saj baritor, me misionin e saj e me natyrën e saj, nuk lidhet me asnjë formë të veçantë të kulturës njerëzore, me asnjë sistem politik, ekonomik ose shoqëror.Kisha – pohoi Papa – ofron një kontribut të rëndësishëm për të mirën e përbashkët të Ekuadorit e, prej këndej, ka nevojë të jetë e lirë në të gjitha fushat e veprimtarisë, që i njihen nga Kushtetuta e vendit. Benedikti XVI kujtoi se njerëzimi sot ndodhet përballë skenave, në të cilat situatat politike të paqëndrueshme e pasojat e shkaktuara nga struktura të ligshta shoqërore, prekin rëndë aspiratat njerëzore për liri e shpresë. Gjithashtu vijon të fuqizohet ndërvartësia ndërmjet shteteve. Prej këndej – vërejti Papa – është e nevojshme e urgjente të punohet për ndërtimin e një rendi të brëndshëm e ndërkombëtar, që promovon bashkëjetesën paqësore, bashkëpunimin dhe respektin për të drejtat e njeriut dhe njohjen e dinjitetit të tij të patjetërsueshëm. E, duke menduar për ekuadorianët e shumtë që mërgojnë në vendet e ndryshme, në kërkim të një ardhmërie më të mirë për vete e për familjarët – pohoi Papa – nuk mund ta harrojmë dashurinë e krishterë. Prej këndej theksoi se nuk duhet ndërtuar një shtet që i sundon të gjithë, por që i ndihmon të gjithë, duke pasur parasysh se një qeveri vërtetë demokratike duhet të mbështesë gjithnjë kulturën e respektit e të barazisë në shërbim të mbarë popujve.







All the contents on this site are copyrighted ©.