2007-10-26 17:38:48

Serbia sulmon Lajçak në Bosnjë dhe kërcënon për shkëputjen e Republikës serbe


(26.10.2007 RV)Frika se Serbia do të largohet nga përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian në këmbim të një aleance më të fuqishme me Rusinë është e pabazë, deklaroi Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç për agjensinë e lajmeve Rojters.
Rusia mbetet një aleate e rëndësishme e Serbisë, por Beogradi sheh drejt Evropës. “Kemi zgjedhjet presidenciale në dhjetor dhe është e rëndësishme të zgjedhim rrugën evropiane” – vazhdoi Jeremiç, duke iu referuar presidentit aktual Boris Tadiç, i cili kandidohet për herë të dytë. “Do të jetë si një referendum” përfundoi Ministri i jashtëm serb.
Ndërkaq, kryeministri Vojisllav Koshtunica është i zënë në debate me përfaqësuesin e OKB-së për Bosnjën, Miroslav Lajçak. Ky i fundit, i mbështetur edhe nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, ka vendosur rregulla të reja për marrjen e vendimeve në parlament e në qeveri, të cilat mundohen të evitojnë hedhjen poshtë të ligjeve vetëm për mungesën e deputetëve dhe të ministrave në sallë. Metoda e mungesës është përdorur shpesh nga përfaqësuesit e Republikës serbe të Bosnjës, të cilët protestojnë tani kundër normave të reja të sllovakut Lajçak. Kanë gjetur mbështetjen e plotë të Koshtunicës, i cili e ka akuzuar përfaqësuesin ndërkombëtar se po punon kundër interesave të popullit serb dhe nuk respekton marrëveshjen e Dejtonit. Komentet e Koshtunicës janë kritikuar nga dy presidentë kolegjialë të Bosnjë-Hercegovinës, nga ai mysliman, Haris Silajxhiq dhe nga ai kroat, Zheljko Komsiq.
Përballë kësaj situate dhe në kuadrin e diskutimeve për statusin e Kosovës, ultranacionalistët serbë, të udhëhequr nga Tomislav Nikoliq, ngrenë zërin për të kërcënuar bashkësinë ndërkombëtare. Nëse do t’i jepet pavarësia Kosovës, sipas Nikoliqit, edhe serbët e Republikës serbe të Bosnjës duhet të kenë të drejtën e referendumit për t’u shkëputur nga Bosnjë-Hercegovina.







All the contents on this site are copyrighted ©.