2007-10-26 17:26:54

Imzot Komastri: ‘Rruzarja është lutje e thjeshtë dhe e thellë, që i vëllazëron të gjithë’.


(26.10.2007 RV)RealAudioMP3 Në lutjen e Engjëllit të Tënzot ditën kur kremtohej Zoja Rruzare, Papa i porositi besimtarët “ta thonë me fe të gjallë Rruzaren për paqen e familjeve, të kombeve e të mbarë botës”. Duke përshkruar figurën tradicionale të Zojës Rruzare, Benedikti XVI kujtoi se ”Kjo ikonografi kuptimplote tregon se Rruzarja është mjet që Zoja e Bekuar na e dhuron për të kundruar Jezusin e, duke medituar për jetën e Tij, për ta dashur e për ta ndjekur pas gjithnjë e më besnikërisht”.
Por për këtë lutje të lashtë, të dëgjojmë reflektimin e kryeipeshkvit Angjelo Komastri, vikar i Papës për Qytet-Shtetin e Vatikanit, në mikrofonin e radios sonë:
Përgjigje: - Rruzarja është lutje që nuk vjetrohet kurrë, sepse mbi të gjitha, është krejt e thjeshtë. Mund të themi se është aq e thjeshtë, sa t’i vëllazërojë të gjithë. Por njëkohësisht është edhe tejèt e thellë, sepse lutje kristologjike. E këtë e ka nënvizuar në mënyrë të veçantë Papa Gjon Pali II, duke kujtuar se Rruzarja na bën të meditojmë për jetën e Jezusit, së bashku me Virgjërën Mari. Së fundi, mund të themi se është lutje e përvujtë, sepse përsëritet. Kush përsërit, është njeri i përvujtë. E s’ka gjë më të pëlqyeshme për Zotin, sesa përvujtëria. Po duhet kujtuar se Rruzarja është edhe lutje plot dashuri. Kur e duam fort dikë, ia përsërisim të njëjtën gjë një mijë herë. Nëna s’lodhet kurrë s’i thëni fëmijës së vet: “Shpirti i nënës, zemra e nënës”. Është uratë e përshtatshme si për njeriun e vetëm, ashtu edhe për gjithë familjen. Kur familjet e thonë së bashku Rruzaren, jeta e tyre ndryshon.
Pyetje: - Rruzarja është uratë, pra mund të themi se na prin te Jezusi?
Përgjigje: - Rruzarja është uratë që të çon drejt misterit të Krishtit, të prin drejt bashkimit me Jezusin. Prandaj mund të themi edhe se Maria e do Rruzaren, sepse Maria dëshiron të na marrë për dore e të na çojë te Krishti. Dikush, duke folur fare pa menduar, ka thënë se Maria mund të na largojë nga Jezusi, por kjo as që duhet të na shkojë nëpër mend, sepse Maria ka gjithnjë në gojë vetëm një emën: “Jezus!”; vetëm një porosi: “Bëni atë që do t’ju thotë Ai! Çkado t’ju thotë Jezusi, bëjeni, dëgjojeni!”. Kjo është detyra e Marisë, ky, misioni i saj: ajo nuk na do për vete, por për Krishtin. E me që Rruzarja është uratë që të çon tek Jezusi, madje të bën të ecësh në gjurmët e Krishtit, s’ka sesi të mos jetë tepër e dashur për Marinë. Mund të themi se është lutja që kryen misionin e saj. Është lutja, përmes së cilës Maria na prin drejt intimitetit me Jezusin, drejt bashkimit me Jezusin e, prej këndej, na ndihmon të bëhemi më besimtarë, më të kritshterë. E kjo, sepse duke u bërë marian, bëhesh edhe kristian.
Pyetje: - Në Letrën Apostolike “Rosarium Virginis Mariae”, Gjon Pali II ka shkruar se përmes Rruzares populli i krishterë ulet në bankat e shkollës së Marisë. Ç’do të thotë ‘shkolla e Marisë’ për familjet e kohëve tona?
Përgjigje: - Maria është gruaja që na edukon me frymën e lirisë. Njerëzit e kohëve tona nuk janë më në gjendje të kuptojnë ç’do të thotë liri. Për disa, liri do të thotë të jetosh si të teket; për të tjerë, liria është plotësimi i kërkesave egoiste, pa shikuar majtas as djathtas; të tjerë arrijnë deri atje, sa ta konsiderojnë ligësinë si liri të vërtetë. Kështu pra, njerëzit nuk janë më në gjendje ta kuptojnë ç’është liria. Maja më e lartë e lirisë njerëzore është çasti kur Maria, në shtëpinë e vogël të Nazaretit, duke iu përgjigjur lajmit që i sillte Engjëlli, tha: “Ja shërbëtorja e Tënzot”. Atë çast Maria u bë gruaja më e lirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.