2007-10-25 19:06:13

U paraqit në Vatikan vëllimi me pergamenat në faksimile që lidhen me procesin e Templarëve.


(25.10.2007 RV)Sot paradite, gjatë një konference shtypi pranë Sallës së Vjetër të Sinodit në Vatikan, u paraqit vëllimi ‘Procesi kundër Templarëve’, i përbërë nga pergamenat në faksimile, apo kopjet e pergamenave, që lidhen me procesin e Templarëve zhvilluar nën papninë e Klementit V në shekulli XIV. Pergamenat origjinale ruhen në Arkivin Sekret të Vatikanit.
Në konferencën e shtypit ishin të pranishëm imzot Rafaele Farina, arkivist e bibliotekar i Kishës së Shenjtë Romake; imzot Sergjo Pagano, prefekt i Arkivit Sekret të Vatikanit e shumë zyrtarë e studiues, që kanë lidhje të ngushtë me të dy institucionet e Vatikanit.Vëllimi ka një rëndësi të madhe për të sqaruar ngjarjet që e shtynë papën Klementi V t’i nxirrte të pafajshëm Templarët, të akuzuar për herezi. Papa e pezulloi Urdhërin, pa e shpërndarë, duke ripërfshirë dinjitarët e lartë Templarë e me ta, edhe krejt Urdhërin, në bashkimin e në sakramentet e Kishës. Libri sqaron gjithë ngatërresat historike të kohës kur Filipi i Bukur i Francës, ndeshej me Anglinë, ngatërresa të cilat e çuan Urdhërin e Templarëve në akuza të rënda më parë, e më pas në tortura e në shkatërrim të ngadalshëm ekonomik e organizativ, që nisi me mbytjen e Mjeshtrit të Madh të Urdhërit, Zhak de Molei dhe të dinjitarëve të tjerë. Dokumentet e botuara i japin në dorë lexuesit të vërtetën historike, të shkruar në pergamena që, po të mos ishin ruajtur, do të ishin grirë nga koha e nga lagështira. E kjo e vërtetë është pa dyshim shumë më interesante sesa legjenda.







All the contents on this site are copyrighted ©.