2007-10-25 18:31:42

Në mesnatë nis fushata zgjedhore në Kosovë


(25.10.2007 RV)Në mesnatë fillon fushata elektorale në Kosovë për zgjedhjet e 17 nëntorit. Shumica e partive politike kanë paraqitur si program përparësor pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik. Pak ditë më parë, me nismën e presidentit Fatmir Sejdiu, subjektet politike kanë nënshkruar një deklaratë me të cilën zotohen për një fushatë korrekte dhe dinjitoze. Gjithsej, janë paraqitur në zgjedhje 97 subjekte. 1 milion e gjysëm qytetarë të Kosovë kanë të drejtën e votimit.

Qëndrimet e ndryshme përsa i përket statusit të Kosovës dhe planet amerikane për të instaluar raketa në Evropën Lindore ishin sot në qendër të bisedimeve ndërmjet Ministrit rus të Mbrojtjes, Anatoli Serdjunkov dhe homologëve të tij në NATO, të mbledhur në Hollandë. Diskutimet vijnë menjëherë pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts deklaroi se Uashingtoni mund ta shtyjë aktivizimin e mbrojtjes kundër raketave në Poloni dhe në Republikën Çeke. Përsa i përket Kosovës, NATO ka vendosur tashmë që të mos e reduktojë forcën e vet, të disllokuar në vend.
Kosova ishte sot argument bisede edhe ndërmjet kryeministrit italian, Romano Prodi dhe atij austriak, Alfred Gusenbauer, për vizitë në Romë. Prodi deklaroi se Italia dhe Austria mbështesin çdo përpjekje që çon në një marrëveshje ndërmjet palëve. Nga ana tjetër, ministri i jashtëm slloven, Dimitrij Rupel, i cili ndodhej sot për vizitë në Kosovë, premtoi se do të punojë për unitetin e Evropës në momentin kur të kërkohet një qëndrim i përbashkët për Kosovën. Sllovenia do të marrë në dorë presidencën e Bashkimit Evropian, duke filluar nga 1 janari i vitit që vjen. Spanja, Greqia, Rumania dhe Qipro kanë shprehur rezerva për njohjen e pavarësisë së Kosovës, pasi kanë lëvizje separatiste brenda vendit, që mund të marrin shembull nga Prishtina.







All the contents on this site are copyrighted ©.