Më 25 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Krispinin e Krispinianin, martirë.
(25.10.2007 RV)Dy këpucarë, të
lidhur ngushtë me punën e tyre: kështu paraqiten Shën Krispini e Krispiniani në historinë
e martirizimit të tyre. Prandaj prej shekujsh në shumë vende të Evropës këpucarët
i nderojnë si pajtorët e tyre: e me ta, edhe të gjithë lëkurpunuesit: saraçët, dorashkapunuesit,
lëkurëregjësit. Kisha i kujton si martirë të mbytur për shkak të fesë në Galinë romake
e pikërisht në Augusta Suessionum. Në variantin e Okserrës të Martiriologut Jeronimian
shenjtorët kujtohen më 25 tetor si martirë të Suasons, ku në shekullin VI ekzistonte
një bazilikë e ngritur në nderim të tyre, për të cilën flet disa herë Gregori i Turit.
Ndërsa në Gesta Regum Anglorum të Gulielmit nga Malmesbëri për të njëjtët martirë
shkruhet se u varrosën në bazilikën e Shenjtorëve Gjoni e Pali mbi Çelio në Romë.
Ky shënim konsiderohet si shtesë e mëvonshme dhe u përdor si dëshmi për të vërtetuar
gjetjen e varreve të Shenjtorëve. Në historinë e martirizmit të tyre, shkruar nga
fundi i shekullit VIII, tregohet se dy shenjtorët, me origjinë romake, shkuan në Gali
së bashku me shumë romakë të tjerë në kohën e Dioklecianit e, si u vendosën në Suasons,
nisën të ushtronin zanatin e këpucarit, kryesisht për të ndihmuar të varfërit. Duke
qenë të krishterë, filluan menjëherë të predikonin fenë e Krishtit. Sapo e mori vesh
këtë, perandori Maksimian dërgoi Riziovarin t’i arrestonte e pastaj, sa me premtime,
aq me tortura, t’i detyronte të mohonin fenë. U provuan mbi ta të gjitha mjetet, pa
kurrfarë rezultati. Madje Riziovari, në kulmin e zemërimit, duke humbur kontrollin,
ra në zjarrin që kishte ndezur për ta e u dogj vetë. Për t’u hakmarrë për ministrin
e djegur, Maksimiani i dënoi edhe të dy shenjtorët me vdekje. Trupat e tyre u mbartën
nga dy pleq dhe u mbajtën të fshehur deri në përfundim të persekutimit, kur u varrosën
me nderime e mbi reliket e shenjtorëve u ngrit bazilika e Suasons. Pavarësisht
nga të dhënat e pakta e kontradiktore, nuk ka asnjë dyshim se Krispini e Krispiniani
janë martirë që flijuan jetën për Krishtin gjatë persekutimit ushtarak në fund të
shekullit III në Suasons, ku vijojnë të nderohen si shenjtorë vendas e prej ku disa
nga reliket e tyre u mbartën në Romë. Simboli i Martirëve këpucarë, veç palmës, është
edhe këpuca.