2007-10-25 19:06:25

Lumnimi i 498 martirëve spanjollë të dielën e ardhshme, është ftesë për përtëritje të jetës së krishterë.


(25.10.2007 RV)Kremtimi për lumnimin e 498 martirëve spanjollë të periudhës 1934-1937, që do të kryesohet të dielën e ardhshme nga Kardinali Hosè Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, në Sheshin e Shën Pjetrit, arrin në një mjedis me kundërvënie të forta, kryesisht për shkak të kritikave nga ana e disa prej mjeteve të komunikimit. Pa marrë fare parasysh sa të ndërlikuara janë proceset e lumnimit, që shpesh kërkojnë vite të gjata studimesh e këshillimesh, disa e shikojnë kremtimin si përpjekje për t’u kujtuar njerëzve diskutimin aktual mbi Ligjin e kujtesës historike, që ka të bëjë pikërisht me vitet e luftës civile spanjolle. Të 60 dioqezat spanjolle kanë të lumët e tyre, që i përkasin e 16 instituteve rregulltare e janë martirizuar në vitet 1934- 1937. Natyrisht një lumnim i tillë nuk ka sesi të mos u kujtojë të gjithë spanjollëve se, në këto vite u mbytën 6. 832 burra e gra të Kishës e u shkatërruan një numër i madh tempujsh e ndërtesash kishtare. E kjo, sipas një studimi të publikuar vitet e fundit, të pajisur me statistika të sakta shkencore.
Një ngjarje e tillë nuk mund të mos na shtyjë edhe ne të bëjmë pyetjen: “Sa burra e gra të fesë u vranë gjatë regjimit diktatorial në Shqipëri? Sa ishin tempujt e Zotit e ndërtesat e tyre që u bënë rrafsh me tokë? E sidomos nuk mund të mos na kujtojë të lutemi që t’i shikojmë sa më shpejt edhe martirët tanë të lartuar në nderimet e elterit.Në një letër, botuar më 27 prillin e kaluar, Konferenca ipeshkvnore spanjolle uron që kremtimi i së dielës të jetë nxitje për përtritjen e jetës së krishterë në kohët tona, kur mendësia laiciste krijon rreziqe serioze për pajtimin ndërmjet njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.