Barroso, Topit: më shumë luftë kundër korrupsionit dhe krimit
(25.10.2007 RV)Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi u takua në Bruksel me presidentin
e Komisionit Evropian, Zhosè Manuel Barroso. Në Konferencën e shtypit, Barroso tha
se i ka adresuar “një mesazh të qartë” Bamir Topit, në të cilin kërkohet që Tirana
të luftojë më tepër kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkaq, në
vend, parlamenti i Shqipërisë vendosi të ngrihet komisioni hetimor “Sollaku 2”, i
dyti brenda një vitit. Kryeprokurori Theodhori Sollaku akuzohet për korrupsion dhe
për shpërdorim të detyrës.
Nga e diela e deri më 2 nëntor, Giffoni Film
Festival kthehet në Shqipëri për edicionin e tretë të “Giffoni-Shqipëria”. Parashikohet
një program i pasur me të reja interesante për zhvillimin e filmit shqiptar për fëmijë
e të rinj. Gjatë konferencës së shtypit do të paraqitet edhe një film mbi të rinjtë
e veriut, viktima të ngujimit sipas Kanunit, i cili në këtë rast, u mohon arësimimin.
Filmi do të realizohet së shpejti. Juria është e përbërë nga 13 italianë të moshës
15-18 vjeçare, nga 20 serbë e malazez e nga nxënësit e shkollave tetëvjeçare e të
mesme në Shqipëri.