2007-10-25 18:38:19

2.400 miliard dollarë për luftën në Irak dhe në Afganistan


(25.10.2007 RV)Bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Darfur të Sudanit, organizuar nga OKB-ja dhe Bashkimi Afrikan për të shtunën në Sirte të Libisë, mund të rrezikohen. Së paku 6 fraksione, ndër 15 grupet e rebelëve do të bojkotojnë takimin, ku marrin pjesë edhe autoritetet e Khartumit. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u ka kërkuar dje palëve të ndalin luftimet, me rastin e bisedimeve, dhe të marrin pjesë në dialogun për paqen. Në rajonin e Sudanit perëndimor, lufta civile ka shkaktuar deri tani mëse 200 mijë viktima dhe 2 milion e gjysëm refugjatë.

Kriza ndërmjet Turqisë dhe Kurdistanit irakian karakterizohet për momentin, nga deklarata kërcënuese që ndjekin njëra-tjetrën. Ekzekutivi i Ankarasë pohon se do t’i japë fund veprimtarisë së grupeve rebele kurde në Irak, ndërsa Partia e Punës së Kurdistanit nuk përjashton mundësinë e bisedimeve, por tregohet e gatshme edhe për luftë. Në terren, se paku 40 rebelë kurdë kanë sulmuar gjatë natës së djeshme një kazermë në provincën turke të Hakarit. Sipas burimeve lokale, në ndeshjen me ushtarët turq kanë mbetur të vrarë disa prej separatistëve.

Kostoja e përgjithshme e luftrave në Irak e në Afganistan mund të arrijë në 2.400 miliard dollarë brenda vitit 2017. Ky është përfundimi në të cilin arrin një studim i zyrës së bilancit të Kongresit amerikan, i cili përfshin në llogari edhe kërkesën prej 46 miliard dollarësh, bërë të hënën nga presidenti Xhorxh Bush. Përafërsisht, operacionet ushtarake në Irak dhe Afganistan i kushtojnë çdo familjeje amerikane 21 mijë dollarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.