2007-10-24 17:31:38

Me thirrjen “Emri i Zotit është paqja”, përfundoi në Napoli mitingu ndërfetar i organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit.


(24.10.2007 RV)RealAudioMP3 “Emri i Zotit është paqja”. Me këtë thirrje, drejtuar gjithë njerëzve vullnetmirë, prijësit e feve botërore, në praninë e presidentit italian, Gjorgjio Napolitano, përfunduan mbrëmë takimet e tyre në Napoli, në kuadrin e Mitingut “Njerëz e fe”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit. Ishin tri ditë të ngjeshura pune, që u hapën me vizitën e Benediktit XVI në Napoli të dielën e kaluar.
Situata në botë, dhuna, fantazma e një konflikti të mundshëm e jo të largët me Iranin - i trembin liderët fetarë, të cilët nuk e fshehin shqetësimin e thellë. Pjesëmarrja e tyre në Mitingun e Napolit është sinjal që tregon se, pavarësisht nga ndryshimet, duan të punojnë së bashku që t’i kundërvihen çdo përpjekjeje për ta përdorur fenë si pretekst për dhunën.
Ceremonia e mbrëmshme, plot tinguj e ngjyra në Sheshin e Plebishitit, nuk përkonte me tonin e rreptë të thirrjes së përbashkët të liderëve fetarë: “Lufta, terrorizmi e dhuna mohojnë emrin e Zotit, që është paqe. Kushdo që e përdor emrin e Zotit për të urryer tjetrin, për të kryer akte dhune e për të ndezur luftën, blasfemon kundër emrit të Zotit. Pa dialog e lutje, nuk ka shpresë, në sa dhuna është humbje për të gjithë".
Mitingu i 2008-ës ‘Njerëz e fe’ do të mbahet në Qipro, prej nga mund t’i flitet gjithë botës ortodokse e nga shihet prej së afërmi Lindja e Mesme, siç theksoi themeluesi i Bashkësisë së Shën Egjidit, Andrea Rikardi. Ndërsa patriku grek-qipriot, kryepeshkopi i Qipros, Krizostomos II u shpreh kështu:
Përgjigje: - Ne punojnë me të gjitha forcat për t’u bërë urë e paqes ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Tashmë jemi të impenjuar e do të vijojmë të impenjohemi me të gjitha forcat për të hedhur themelet e paqes së qëndrueshme për mbarë popujt e botës.
Pyetje: - Për ta arritur këtë, ka shumë rëndësi të besohet fort në forcën e dialogut…
Përgjigje: - Ne besojmë shumë në dialogun, sepse besojmë se mund të jetë në bazë të sigurimit të paqes për mbarë kombet, popujt e fetë. Ndërkaq kardinali Kreshencio Sepe, kryeipeshkëv i Napolit, njoftoi se do të realizojë një strukturë të përhershme për dialogun ndërfetar e ndërkulturor, për ta bërë kështu Napolin, kryeqytet mesdhetar të dialogut.







All the contents on this site are copyrighted ©.