Kuvendi i Dibrës (20-24 tetor 1880):një mësim i çmuar historie.
(24.10.2007 RV)Më 24 tetor 1880 përfundonte punimet Kuvendi i Dibrës, që filloi
më 20 tetor 1880, me pjesëmarrjen e 300 delegatëve, të ardhur nga krahinat shqiptare
të katër vilajeteve, shoqëruar nga 5 mijë burra të armatosur. Shumica e tyre ishin
dërguar nga vilajeti i Kosovës dhe nga viset shqiptare të vilajetit të Manastirit.
Numri i delegatëve që përfaqësonin Shkodrën, Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut ishte
më i pakët. Pjesa më e madhe e delegatëve u përkiste rrymave radikale dhe të moderuara.
Ndërmjet delegatëve ishin Ali Pashë Gucia, Iliaz Pashë Dibra, Abdyl Frashëri etj. Kuvendi
trajtoi tri çështje me rëndësi vendimtare për Shqipërinë: qëndrimin ndaj çështjes
së Ulqinit, krijimin e një vilajeti autonom dhe formimin e qeverisë së përkohshme. Lidhur
me çështjen e parë Kuvendi e quajti të domosdoshme mbrojtjen me armë të Ulqinit dhe
shprehu gatishmërinë për të dërguar në Shkodër forcat vullnetare të sanxhakut të Dibrës.
Ky vendim iu njoftua edhe Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës. Abdyl Frashëri dhe përfaqësuesit
e krahut radikal argumentuan gjithashtu programin e miratuar në Kuvendin e Gjirokastrës,
për krijimin e vilajetit autonom të Shqipërisë dhe për formimin e qeverisë së përkohshme.
Ashtu siç parashikohej, elementët konservatorë (rreth 25 veta) mbajtën anën e Portës
së Lartë. Ata nuk pranuan asnjë nga kërkesat e atdhetarëve radikalë dhe u sulën me
ashpërsi kundër tyre. Vendimi për mbrojtjen e Ulqinit, pavarësisht nga urdhri që kishte
dhënë sulltani për dorëzimin e tij, u mor me votat e atdhetarëve radikalë dhe të moderuar.
Të moderuarit e pranuan në parim edhe formimin e Vilajetit të Shqipërisë. Madje disa
prej tyre, ndër të cilët Iljaz pashë Dibra dhe Ali pashë Gucia, e miratuan edhe tezën
e Abdyl Frashërit për ta sendërtuar vilajetin autonom me anën e veprimeve të armatosura.
Të tjerët ngulën këmbë në pikëpamjen e tyre të mëparshme: për të mos shkuar përtej
paraqitjes së peticionit, duke ia lënë sulltanit në dorë plotësimin e kërkesave të
tij. Debate të zjarrta u zhvilluan sidomos rreth çështjes së formimit të qeverisë
së përkohshme, kundër së cilës u ngritën gjithë delegatët konservatorë.Si pasojë e
këtyre mosmarrëveshjeve, Kuvendi i Dibrës doli me dy rezoluta. Njëra, e ndërtuar sipas
platformës së Kuvendit të Gjirokastrës, me të cilin kërkohej krijimi i Vilajetit të
Shqipërisë me autonomi të gjerë, fitoi afërsisht 120 vota. Tjetra, e propozuar nga
delegatët e krahut të moderuar, me të cilin lutej Porta e Lartë që të krijonte një
Ejalet të Shqipërisë, pa i shkrirë vilajetet, dhe të zbatonte në këtë reformat për
organizimin e ri të vilajeteve, sipas nenit 23 të Traktatit të Berlinit. Ejaleti i
Shqipërisë do të kishte një autonomi të kufizuar. Rezoluta e dytë grumbulloi shumicën
prej 150 votash. Delegatët konservatorë nuk nënshkruan asnjërin prej tyre. Të dyja
rezolutat u dërguan veç e veç në Stamboll. Për çështjen e qeverisë së përkohshme,
Kuvendi i Dibrës zyrtarisht nuk mori asnjë vendim. Në bazë të marrëveshjes që u arrit
ndërmjet patriotëve revolucionarë, ajo u la të shqyrtohej edhe njëherë në Prizren.
Miratimi i dy rezolutave tregoi se Kuvendi i Dibrës nuk arriti të bashkonte të gjitha
forcat patriotike shqiptare rreth një programi të vetëm autonomist. E kujtojmë sot
këtë ngjarje të largët, sepse ishte një mësim i çmuar historie, të cilin shqiptarët
nuk mundën e nuk deshën ta nxënë.