2007-10-24 16:40:43

D'Alema:serbët të mos mendojnë se mund të kthehen në Kosovë si para 1999-ës


(24.10.2007 RV)Bashkësia ndërkombëtare po punon për “një zgjidhje me kompromis” e jo për një “akt force” përsa i përket statusit të Kosovës. Serbia duhet të na ndihmojë të gjejmë një marrëveshje, duke parë drejt së ardhmes e drejt Evropës, pa mbetur “peng e së kaluarës”. Kjo është sinteza e qëndrimit të ministrit të jashtëm italian Masimo D’Alema, i cili dje ishte për vizitë në Beograd, ku u takua me autoritetet më të larta serbe.
Përkundrejt moderimit të presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, kryeministriVojisllav Koshtunica nuk i kurseu krahasimet katastrofike ndërmjet gjendjes së Kosovës sot dhe vendimit të marrë nga disa shtete evropiane në Konferencën e Mynihut të vitit 1938, ku Gjermanisë ju njoh e drejta për të aneksuar praktikisht Çekosllovakinë. Menjëherë pas nisi Lufta II Botërore. Ndërkaq, sipas D’Alemës, i cili e përkufizoi si “të papërshtatshëm” krahasimin e Koshtunicës, sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën ekziston tashmë vetëm në hartat gjeografike. Beogradi duhet t’i lërë mënjanë simbolet e të shohë drejt Bashkimit Evropian, me të cilin që në dhjetor mund të nënshkruajë Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit. “Askush nuk mund të mendojë realisht që Serbia të ushtrojë sovranitetin mbi Kosovë si në format para vitit 1999” – përfundoi Ministri i jashtëm italian.
Nga ana tjetër, në një sondazh të publikuar sot në Beograd, rreth 40% e popullsisë serbe mendon se statusi i ardhshëm i Kosovës do të bëhet shkas për fundin e koalicionit qeveritar Tadiç-Koshtunica.

Mister mbi qëndrimin e Gjermanisë në rastin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Radioja “Dojçlandfunken” deklaroi se Berlini do ta njohë pavarësinë, por kjo nuk thuhet ende për shkak se negociatat serbo-kosovare janë në vazhdim e sipër. Sot, Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka përgënjeshtruar lajmin.







All the contents on this site are copyrighted ©.