Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme kushtuar Shën Ambrozit: mësuesit e fesë
të jenë para së gjithash dëshmitarë, e jo "palaço që luajnë një rol".
(24.10.2007 RV)“Kush predikon Ungjillin,
krahas dijes së fituar përmes studimit dhe reflektimit, duhet edhe ta dëshmojë dashurinë
e krishterë për të tjerët, por nuk mund të jetë kurrë palaço që luan një rol, sepse
këtë ia kërkon zanati”. Është një pohim me vlera të mëdha kjo sintezë e katekizmit
të Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e
Shën Pjetrit, kushtuar figurës së Shën Ambrozit. Ambrozi qe një Gjon tjetër. Ipeshkvi
i famshëm, që i priu në fe Milanos së shekullit IV, njeri i ligjit e funksionar civil
- u zgjodh njëzëri si nxënës i dashur nga Jezusi. Ashtu si Shën Gjoni Apostull, qe
i aftë ta thithte drejtpëdrejtë nga Zemra e Mësuesit thelbin e mesazhit të tij të
dashurisë e të bëhej jo vetëm mësues i fesë, por edhe, e sidomos, dëshmitar i dashurisë
së krishterë. Me këtë krahasim e përfundoi katekizmin e sotëm Benedikti XVI, i cili
u paraqiti tridhjetmijë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në një
ditë të butë vjeshtarake, pas të ftohtave të parakohshme - figurën e një dëshmitari
të vërtetë të Zotit. E duke vijuar të flasë për Shën Ambrozin, Papa shpjegoi se ipeshkvi
shenjt pati meritën ta kthente zemrën e Shën Agostinit në rrugën e Zotit, jo vetëm
falë përshpirtërisë, por kryesisht falë shembullit të tij. Agostini – shpjegoi Benedikti
XVI - u prek thellë kryesisht nga radha e gjatë e njerëzve që kërkonin çdo ditë të
flisnin me Ambrozin ipeshkëv, sepse ai u jepte ngushëllim e këshilla të urta për zgjidhjen
e problemeve të tyre. Duke folur për shërbimin që kryen Ambrozi e Agostini – vërejti
Papa – kuptohet menjëherë se katekizmi është i pandarë nga dëshmimi i tij në jetë.
E këtë duhet ta kenë të qartë edhe katekistët e sotëm: “Kush edukon të tjerët
në fe, nuk mund të rrezikojë të duket si një lloj palaçoje, që luan një rol, thjeshtë
sepse këtë ia kërkon zanati. Përkundrazi – në se përdorim një figurë të dashur për
Origjenin, shkrimtar tepër i pëlqyer nga Ambrozi – ai është si nxënësi i dashur, që
mbështet kokën mbi zemrën e Mësuesit e atje mëson si të mendojë, si të flasë, si të
veprojë. Në fund të fundit mund të themi se dishepull i vërtetë është ai që e kumton
Ungjillin në mënyrë të besueshme e të frytshme”. Për Agostinin e ri, ende në
kërkim të Zotit, fryti i kumtimit të krishterë u shfaq me një dukje të dyfishtë: personale
e komunitare. Dëshminë personale e pa me sytë e vet tek ipeshkvi i asokohshëm i Milanos.
Benedikti XVI tregoi sesi ipeshkvi i ardhshëm i Iponës mbeti pa mend, kur e pa Ambrozin
duke e lexuar Shkrimin Shenjt me gojë mbyllur, vetëm me sy. Një lexim i tillë i binte
ndesh dokeve të kohës, sipas të cilave Bibla duhej lexuar me zë të lartë edhe personalisht.
Nga kjo mënyrë e leximit të Shkrimit Shenjt, Agostini fitoi aftësinë për t’u familjarizuar
me Biblën: “Në këtë lexim me lëvizje të pandjeshme të buzëve, përmes të cilit
zemra përpiqet të arrijë urtinë e Fjalës së Hyjit - e kjo është ikona për të cilën
po flasim – mund të shihet qartë metoda e katekizmit ambrozian: është vetë Shkrimi
Shenjt, i përvetësuar në thellësi të shpirtit, që të mëson çka duhet të kumtosh për
t’u prirë zemrave në rrugën drej Zotit”. Papa theksoi se dëshironte që kjo
figurë e Shën Ambrozit të mbetej në kujtesën e besimtarëve si ikonë patristike, përmes
së cilës duket qartë “zemra e doktrinës ambroziane”. Por ikonë është edhe dëshmia
e fesë që Shën Agostini e pa tek besimtarët, sapo arriti në Milano: ”Ajo që
e tundi zemrën e rektorit të ri afrikan, dyshmitar e të dëshpëruar, e që e bëri të
pendohej përfundimisht, nuk qenë homelitë e bukura të Ambrozit, ndonëse i vlerësonte
shumë. Qe dëshmia e ipeshkvit dhe e Kishës së tij milaneze, që lutej e këndonte,
e bashkuar si një trup i vetëm”. Papa e përfundoi katekizmin me fjalët e një
prej lutjeve të thella të Shën Ambrozit kushtuar Krishtit: “Në se dëshiron të mjekosh
një plagë, ai është mjeku; në se buza jote, shkrumbuar nga ethet, kërkon një pikë
ujë, ai është burimi; në se ke nevojë për ndihmë, është ai forca; në se dëshiron qiellin,
ai është udha”.“Të Shpresojmë edhe ne në Krishtin. Do të jemi kështu të lum e do
të jetojmë në paqe!”. Pas përmbledhjes së katekizmit në nëntë gjuhë, Benedikti
XVI e përfundoi audiencën duke përshëndetur grupet e pranishme, posaçërisht përfaqësuesit
e Shoqatës së familjeve të emigrantëve, të cilët i uroi të provojnë gjithnjë gëzimin
që buron nga solidariteti e nga ndihma reciproke, posaçërisht në çaste të vështira.