2007-10-24 17:32:15

90 vjet më parë atë Kolbe themelonte Ushtrinë e Zojës së Papërlyer.


(24.10.2007 RV)RealAudioMP3 Ky tetor na kujton dy përvjetore që lidhen me Shën Maksimilian Kolben, fratin e vogël konventual, martir në kampin e përqëndrimit në Aushvic. Më 10 tetor u mbushën 25 vjet nga shenjtërimi i tij, ndërsa më 17-të muajit në vijim, 90-vjetori i Ushtrisë së Zojës së Papërlyer, themeluar prej tij në Romë më 1917.Ftuam në mikrofonin tonë atë Egjidio Monzanin, sivëlla i Shën Maksimilianit, që na flet për këtë përkujtim:
Përgjigje: - Atë Kolbe ishte student në Romë, ku më 1917 kishte shumë manifestime të masonerisë. Në një letër drejtuar s’ëmës, ai tregon sa u trondit një ditë, kur pa sesi masonët, gjatë një procesion dy hapa larg Sheshit të Shën Pjetrit, poshtë dritareve të Papës, mbartnin me triumf mbi supe Shejtanin që ia shtypte kokën Shën Mëhillit Kryeengjëll. Tronditjes shpejt ia zuri vendin pyetja: ç’ mund të bëhej për t’ia prerë rrugën shëmtimeve të tilla? Duke u nisur nga rrënjët e Urdhërit Françeskan, që e lidhnin ngushtë me Zojën e Papërlyer e duke pasur mirë parasysh se e Papërlyera fiton mbi çdo të keqe e mbi çdo herezi, së bashku me gjashtë sivëllezër, iu kushtua së Papërlyerës. Ky akt përkushtimi mbeti i fshehtë për dy vjet, derisa atë Maksimiliani u rikthye në Poloni e filloi ta përhapte devocionin për Zojën e Papërlyer përmes botimit të një gazete. Kështu nisi veprimtaria e tij e jashtëzakonshme, jatë së cilës u bë nismëtar i përdorimit të shtypit e të radios në shërbim të ungjillëzimit.
Pyetje: - Ç’ veprimtari kryen aktualisht Ushtria e Zojës së Papërlyer?
Përgjigje: - Mund të themi se është përhapur nga pak në mbarë botën, ndonëse veprimtaritë më të shumta i zhvillon në Itali, në Brazil e në Poloni. Ushtarët e kësaj ushtrie aspak të zakonshme, ia kushtojnë jetën Zojës së Papërlyer duke dhënë një ndihmesë vërtetë të çmuar që të kalohet nga devocioni në besim, në përkushtim, në mision, që të gjithë ta jetojnë plotësisht fenë e vet me ndihmën e Virgjërës Mari, Nënë që i lindi e Mësuese që i edukon në fe.







All the contents on this site are copyrighted ©.