2007-10-23 17:33:17

Zvicra nuk duhet t’ua mbyllë dyert të huajve dhe Evropës: kështu shprehet ipeshkvi i Luganos pas suksesit të së djathtës ksenofobe në votime.


 (23.10.2007 RV)RealAudioMP3 Pas fitores të së djathtës së Kristof Blosher, Zvicra duhet të mendojë për të ardhmen e vet e për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Ndërsa e djathta njihet si ksenofobe, shoqatat kryesore të ndërmarrjeve helvetike kanë nënvizuar rëndësinë e krahut të huaj të punës për ekonominë e vendit, duke iu përgjigjur kështu qëndrimit të Blosherit kundër emigracionit.
Për një reflektim lidhur me shpresat e shqetësimet e Kishës helvetike, pas këtyre votimeve, intervistuam ipeshkvin e Luganos, imzot Pier Xhakomo Grampa:
Përgjigje: - Zvicra po jeton një çast kundërvënjeje të fortë ndërmjet së djathtës e së majtës. Shqetësohemi, sepse vendi po shkon drejt mbylljes së portave, sidomos për të huajtë. Duhet të mos fitojë frika, shqetësimi për vendin e punës e për praninë e shumnumërt të të huajve në vend. Në kundërshtim me sa duket, përqindja e të huajve në Zvicer është shumë e lartë: mbi 20% të popullsisë vendase. Shpresohet që në sistemin tonë gjysëm demokratik të fitojë bashkëpunimi. Tradita zvicerane kërkon praninë e forcave kryesore të politikës në qeveri, që kështu të krijohen mundësitë e gjetjes së rrugëzgjidhjeve më të mira për problemet në vend.
Pyetje: - Një temë tjetër, që tërheq vëmendjen e opinionit publik zviceran, është pa dyshim ajo e qëndrimit ndaj Evropës. Edhe në këtë drejtim Kisha helvetike ka një pozicion shumë të qartë…
Përgjigje: - Kisha helvetike është një Kishë e hapur për të gjithë, që i mirëkupton e i mirëpret të huajtë. Por i duhet të ketë parasysh se shumica e vendit nuk ka fituar akoma pjekurinë e duhur për të hyrë në Evropë. Ndërkaq vijojmë të ecim në rrugën e marrëveshjeve dypalëshe. Duhet të jemi vigjilentë, të qartë, guximtarë, por edhe të durueshëm, për të shmangur kundërvëniet që janë gjithnjë në dëm të vendit. Duhet moderim e drejtpeshim. Zvicra nuk është vend që i duron ekstremizmat.







All the contents on this site are copyrighted ©.