2007-10-23 18:25:43

Vatikani është dakord me përdorimin paqësor të energjisë bërthamore edhe për Iranin


(23.10.2007 RV)“Po” përdorimit paqësor të energjisë bërthamore, “sigurisht edhe nga ana e Iranit”, sepse energjia bërthamore “është në të mirë të njerëzimit”. Këto janë fjalët e kardinalit Renato Rafaele Martino, president i Këshillit Papnor për Drejtësinë dhe Paqen, i cili komentoi takimin e sotëm në Romë ndërmjet Përfaqësuesit të Lartë evropian për Politikën e jashtme, Havier Solana dhe negociatorëve iranianë Ali Larizhani e pasardhësit të tij, Said Zhalili.
Në Napoli për takimin ndërfetar “Njerëz dhe fe” të organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, Martino theksoi se mundësia që përdorimi paqësor i energjisë bërthamore të degjenerojë në një përdorim jo paqësor “varet nga qëllimet”.
Përsa i përket konferencës ndërkombëtare për Lindjen e Mesme, kardinal Martino shprehu edhe një herë vullnetin e Selisë së Shenjtë për të inkurajuar çdo lloj dialogu në një zonë shumë të dashur për të krishterët. “Është toka e Jezu Krishtit – tha ai – e do të donim që të bëhej me të vërtetë një tokë paqeje e vëllazërimi”.
Kardinal Martino u ndal edhe në konfliktin turko-kurd dhe uroi që të bëhet ç’është e mundur për të evituar gjakderdhjen. Selia e Shenjtë, shpjegoi prelati, ka hapur kanalet e saj të dialogut nëpërmjet nunciaturës. Këto kanale nuk dalin në mjetet e shtypit, por bëjnë punën e vet, përfundoi kardinal Martino.


Nuk ndalet procesi i talebanizimit të Pakistanit, pavarësisht nga premtimet formale të qeverisë e të autoriteteve lokale. Ekstremizmi islamik arriti në rrafshinën e Suatit, dikur e njohur si “Zvicra e Orientit”. Në një raport të organizatës pakistaneze për të drejtat e pakicave denoncohen abuzime ndaj popullsisë. Njëri prej shembujve ka të bëjë edhe më një lice katolik në zonë. Në një letër, një grup fondamentalist islamik akuzon shkollën se i kthen me forcë nxënësit në krishterim dhe i largon nga morali islamik. Grupi kërkon që të pushohen nga puna të gjithë mësuesit e krishterë, në rast të kundërt kërcënon sulme me kamikaze. Në vend që të dëgjojnë shkollën, autoritetet lokale kanë detyruar edhe vajzat e krishtera të vishen me ferexhe. Nxënësit e krishterë e kanë lënë shkollën dhe shumë prej familjeve mendojnë të emigrojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.