Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Gjonin nga Kapestrani.
(23.10.2007 RV)Gjon Kapestrani ishte 70 vjeç kur, më 1456, u ndodh para portave
të Beogradit të kërcënuar nga ushtria turke. Ishte aty për t'u dhënë zemër trupave
të krishtera, i armatosur vetëm me rruzaren shenjte e me zërin e tij bubullues: "Si
duke ecur përpara, ashtu edhe duke u tërhequr, si duke sulmuar ashtu edhe kur t'ju
sulmojnë - bërtiste - thirreni gjithnjë emrin e Jezusit!". Ky ishte frymëzimi fetar
i këtij luftëtari të fesë, sot Pajtor i kapelanëve ushtarakë, i cili gjithnjë dha
mësime me shembull, më parë sesa me fjalë, edhe atëherë kur iu desh të vinte jetën
në rrezik. Sypatrembur, ai luftoi me të njëjtin guxim kundër padrejtësive, herezive
e kundër plagës së tmerrshme të fajdesë. I lindur në Kapestran, ndërmjet maleve të
Gurit të Madh në Itali, më 1386, djalë i një baroni gjerman e i një gruaje fisnike
abruceze, Gjoni, bir i vërtetë i Evropës, do ta përshkonte kryq e tërthor Kontinentin
për t'i shërbyer papës e për të çuar kudo mesazhin e tij të fesë: nga Italia, në Francë;
nga Gjermania në Hungari, nga Polonia në Ballkan. E sot, në përkujtim të përvjetorit
të vdekjes së Shenjtit, në Kapestran të Italisë e në Hungari u përkujtua solemnisht
fitorja e ushtrive të krishtera, të udhëhequra nga Gjon Huniadi e të frymëzuara nga
Shën Gjon Kapestrani në betejën e Beogradit, ku u ndal hovi i hordhive osmane drejt
Evropës.