2007-10-23 18:15:24

Një raport i Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri nxjerr në pah korrupsionin e gjykatësve


(23.10.2007 RV)Gjyqtarët shqiptarë janë të korruptuar. Një lajm i ditur nga të gjithë konfirmohet tani nga një inspektim i Ministrisë së Drejtësisë, sipas të cilit persona të dënuar për krime të rënda siç është trafiku i drogës, janë liruar me pretekste banale, si për shembull “rreziku i jetës për shkak të humorit të keq në burg”. Të dhëna të tjera të Ministrisë së Brendshme nxjerrin në pah se këta persona janë kthyer në zanatin e vjetër dhe janë kapur sërish nga policia për trafik droge, duke përfunduar sërish në burg. Ndoshta në pritje që miqtë e tyre t’u japin gjyqtarëve përkatës aq ryshfet, sa të gjejnë një tjetër pretekst për t’i lënë të lirë.
Në shënjestër të raportit të Ministrisë së Drejtësisë janë gjykata e rrethit të Tiranës, të Krujës, Lezhës, Elbasanit, Kavajës e Matit, ku janë marrë në shqyrtim 55 çështje me objekt lirimin e të burgosurve me pretendimin se janë të sëmurë. Gjykatat kanë pranuar të lirojnë 27 të burgosur, por të dhënat e verifikuara nga Ministria e Brendshme, tregojnë se 22 prej tyre nuk janë shtruar ndonjëherë në spitalin e burgut, apo nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ata jetojnë të qetë brenda dhe jashtë vendit, duke u marrë me bizneset e tyre fitimprurëse.
Nën akuzë edhe ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë paraqitur prova të manipuluara për shëndetin e të burgosurve. Kjo praktikë u zbulua zyrtarisht në korrik të këtij viti. Ministria e Drejtësisë ka premtuar masa të rrepta, por ndërkaq Shqipëria vazhdon të mbajë vendin e 105 ndër 180 vendet e studiuara për transparencë nga Transparency International, organizata botërore kundër korrupsionit.


Të enjten do të zhvillohet në Kuvendin e Shqipërisë debati për ngritjen e komisionit hetimor “Sollaku 2”. Komisioni i ligjeve, me shumicë votash, ka deklaruar se e gjen me vend ngritjen e një komisioni tjetër, që do të nxjerrë në pah përgjegjësitë e kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Shkarkimi i tij nga detyra është bërë mollë sherri ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Kjo e fundit ka kërcënuar të bojkotojë reformën në drejtësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.