Nga Napoli udhëheqësit e feve bëjnë thirrje për paqe: Kisha do t’i përgjigjet Letrës
së 138 burrave të urtë myslimanë.
(23.10.2007 RV)Replikat e fundit
në Napoli, në Mitingun e 21-të ndërfetar të paqes, organizuar nga Bashkësia e Shën
Egjidit i cili, pas lutjes e procesionit, u mbyll me thirrjen për paqe 2007 nënshkruar
nga të gjithë liderët fetarë. Që nga e diela e deri sot Napoli i ka ndjerë fort praninë
e përfaqësuesve të kishave të krishtera, të hebraizmit, të islamit, të budizmit e
të feve të tjera si dhe thirrjet e tyre të vazhdueshme për pajtim e dialog. Për paqe
e dialog flet edhe kardinali Zhan Lyi Toran, kryetar i Këshillit Papnor për
dialogun ndërfetar, në mikrofonin e Radios sonë: Përgjigje: - Ky dialog
është një rrugë e gjatë. Kemi gjithnjë nevojë ta njohim më shumë njëri-tjetrin. Dialogu
është shtegtim, por edhe rrezik. Është shtegtim, sepse me të drejtë duhet kohë e gjatë
për t’u njohur, për t’i kuptuar pasuritë e tjetrit; por është edhe rrezik, sepse të
shtyn t’i bësh vetes pyetjen: “Kush është Zoti im, ai në të cilin besoj? A ndikon
feja ime mbi jetën time? Më duhet, prandaj, të bëj një rrëmim të ndërgjegjes. Sa herë
ndodhemi para ndonjë vështirësie të vogël, e kuptojmë menjëherë se nuk njihemi sa
e si duhet. Prandaj kemi gjithnjë nevojë të dialogojmë, të flasim. Është një shqetsim
që duhet çuar gjithnjë përpara. Pyetje: - Hirësi, në Napoli është i pranishëm
edhe ndonjë nga të 138 nënshkruesit islamikë të Letrës drejtuar Papës dhe liderëve
të krishterë, përmes së cilës kërkohet më shumë dialog, më shumë bashkëpunim ndërmjet
islamit e krishterimit. A do t’i jepet përgjigje kësaj Letre? Përgjigje: -
Sigurisht do t’i jepet përgjigje, sepse është sinjal pozitiv drejtuar të krishterëve.
Siç pata rastin të them, ka edhe të reja. Për shembull, kur flitet për Jezusin, citohet
Besëlidhja e Re e jo Kurani. Pastaj duhet theksuar se teksti nuk është polemik e ka
shumë aspekte pozitive. Ndjehet fuqimisht vullneti i bashkëpunimit për paqe, përmes
fesë. Teksti thekson se myslimanët e të krishterët, të marrë së bashku, përbëjnë 55%
të popullsisë botërore e kjo është një fuqi e madhe, që mund të kontribuojë për paqen
në botë. Duhet pranuar pasuria pozitive e këtij mesazhi!