2007-10-22 17:13:05

Vijojnë në Napoli punimet e mitingut ndërfetar për paqen e dialogun.


(22.10.2007 RV)Vijojnë në Napoli punimet e mitingut ndërfetar ‘Njerëz e fe’, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit me temë. “Për një botë pa dhunë: fetë e kulturat në dialog”. Është mbledhje e përvitshme në të cilën, përveç tryezave të rrumbullakta, organizohen edhe takime të ndryshme, siç është për shembull, takimi në Amalfi, gjatë të cilit Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeut I, do t’i dorëzohet qytetaria e nderit dhe relikja e Shën Andreut. Në sfond të punimeve janë mesazhet e Papës gjatë vizitës së djeshme baritore në Napoli.
Puthja e ampulës me gjakun e Shën Gjenarit dhe nderimi i relikeve të Pajtorit të katedrales, ishin veprimtaritë e fundit të Papës në Napoli. Qyteti, banorët e tij e administratorët i kanë tepër të freskëta në kujtesë thirrjet e Benediktit XVI për të mos e humbur guximin përballë dhunës, për të fuqizuar shpresën me fe e lutje, për të marrë masa sidomos në ndihmë të të rinjve, duke vënë në plan të parë shkollën e punën. Por në Napoli që janë të pranishëm edhe personalitete fetare mbledhur nga Bashkësia e Shën Egjidit për të dialoguar në vazhdën e fjalëve që u drejtoi dje Papa Benedikti XVI: fetë nuk duhet të jenë mjete dhune, por burim për ndërtimin e njerëzimit paqësor e për zhdukjen e dhunës. Bindja se duhet punuar në këtë drejtim u shpreh njëzëri në mbrëmjen e hapjes së mitingut, organizuar në Teatrin e Shën Karlit. Për Patrikun e Kostandinopojës, Bartolomeun I, rëndësi kryesore ka kultura e dialogut ndërmjet feve, të cilat nganjëherë karakterizohen nga mbyllje e absolutizma, që mund të çojnë në ekstremizëm e në dhunë. Ideja për të themeluar një OKB të feve, propozuar nga kryerabini i Izraelit, Jona Metzger, u mirëprit nga themeluesi i universitetit të Emirateve Arabe të Bashkuara, Ezedin Ibrahim, i cili ngriti akuza të rënda kundër agresivitetit të disa prej fuqive të mëdha, kundër pushtimeve ushtarake e kundër veprimeve të dhunshme të disa myslimanëve, individë ose grupe. Për kulturën e përbuzjes së tjetrit në emër të fesë, si zanafillë e terrorizmit, foli themeluesi i Shën Egjidit, Andrea Rikardi, i cili i ftoi të gjithë t’i kundërvihen frymës pesimiste. Fetë – theksoi ai – kanë një forcë të përbashkët: besojnë në Shpirtin e Zotit e në veprimin e tij. Duhet të nxisim nisma paqeje për të krijuar ura, atje ku duket se gjithçka shkon drejt thellimit të hendekut që çon në konflikt e në dhunë – tha në përfundim themeluesi i Shën Egjidit, duke u folur 200 prijësve fetarë, pjesëmarrës në punimet e Mitingut.







All the contents on this site are copyrighted ©.