2007-10-22 17:15:57

Imzot Frano Illia në 10-vjetorin e vdekjes.


(22.10.2007 RV)Imzot Frano Illia lindi në fshatin Juban, pranë Shkodrës më 21 shkurt 1918. U shugurua meshtar më 18 dhjetor 1943. Shërbeu në Tiranë, Shkodër, Milot e rrethina. Më 1967 u arrestua, ndërsa më 25 prill 1968 u dënua me vdekje. Datë e shënuar në jetën e tij 25 prilli, sepse pikërisht 25 vjet pas këtij dënimi, shndërruar në burgim të përjetshëm, do të shugurohej ipeshkëv nga dora e vetë Papës Gjon Pali II.
U bë kështu, nga viti 1993 deri në 1997, i pari Kryeipeshkëv Metropolit i pas-diktaturës në Qytetin e veriut, që kishte nxjerrë aq ipeshkvij të mëdhenj. Fitoi edhe titullin Profesor për punën e tij të palodhur në mbledhjen dhe kodifikimin e Kanunit të Skënderbeut, vepër që pa dritën e shtypit shumë vjet pasi ishte përgatitur për botim. Po ai mbeti gjithnjë meshtari i thjeshtë, dom Franoja, njeriu që ia kushtoi gjithë jetën elterit e kulturës kombëtare, Fesë e Atdheut. Kërkonte me këmbëngulje nga katolikët shenjtni e kulturë. Shenjtnisë e kulturës i shërbeu gjithë jetën, duke kryer me kujdesin më të madh detyrat e tij si meshtar i Krishtit e duke mos e lëshuar kurrë penën nga dora. La kështu pas një vepër që vijon t'i shërbejë kombit e popullit të vet. Sot, në dhjetëvjetorin e vdekjes së tij, kujtojmë se "Kanuni i Skandërbegut" i Imzot Illisë mbetet një nga veprat më të pëlqyera nga lexuesit shqiptarë e të huaj.
Njeri i dialogut, i paqes dhe i harmonisë, ai la pas edhe shembullin e punëtorit të palodhur të ekumenizmit, të meshtarit që bashkëpunoi gjithë jetën me vëllezërit e besimeve të tjera, në emër të bashkimit kombëtar.
Figura e tij na kujton ipeshkvijtë e mëdhenj, ndërmjet të cilëve, Imzot Bumçin. Duke marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, Prelati i madh foli aq me pasion për bashkimin e shqiptarëve, sa tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Kur doli prej mbledhjes, iu afrua përfaqësuesi serb i Pashiqit e i tha: "Si nuk ke marre ti, ipeshkëv katolik, me një pëllëmbë kryq në gjoks, vjen e deklaron këtu para botës se jeni vëllezër me myslimanët, armiqtë e fesë e të përparimit!?".
Duke ecur në gjurmët e kësaj tradite, Imzot Franoja jo vetëm që nuk pati marre të fliste për vëllazërí të sinqertë, por organizoi personalisht mbrojtjen e ndërtesave të kultit, duke ftuar klerikët myslimanë të ruanin Kishat e duke nisur meshtarët e vet në mbrojtje të xhamive të Shkodrës. Ishte një ngjarje e paparë ndonjë herë në historinë e kombit kjo, që u regjistrua në analet e turbullirave të 1997-tës.
Jetoi me moton, që do të duhej ta bënte të vetën çdo besimtar katolik: "Edhe me më premtue njëqind jetë, asnjenën nuk e due tue mohue fenë".Zërin e tij e kemi regjistruar shumë herë, në raste festash e trazirash, gëzimesh e hidhërimesh.







All the contents on this site are copyrighted ©.