2007-10-22 17:13:27

Imzot Folo në fjalimin mbajtur në UNESKO: “Kultura të ndihmojë për promovimin e dialogut ndërmjet popujve".


(22.10.2007 RV)RealAudioMP3 “Duhen krijuar sfera kulture, marrëdhëniesh, edukimi, në mënyrë që njerëzit të flasin e ta pranojnë njëri-tjetrin si vëllezër e partnerë në ndërtimin e shoqërisë, plot vëmendje për më të vegjëlit e më të varfërit”: këtë nënvizoi sot paradite në Paris imzot Françesko Folo, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë UNESKO-s. Prelati mori pjesë në diskutimin mbi politikën e përgjithshme në Konferencën e XXXIV të UNESKO-s, që do të përfundojë më 3 nëntor. Në mikrofonin e radios sonë, shpjegon çështjet që, sipas tij, duhet të shikohen si të dorës së parë nga bashkësia ndërkombëtare:
Përgjigje: - Duke u nisur nga fakti se UNESKO vuri në plan të parë të kësaj konference Afrikën dhe barazinë ndërmjet sekseve, fola kryesisht për rëndësinë e edukimit, posaçërisht të edukimit cilësor, sidomos për Afrikën. Nga ana tjetër, është tepër e rëndësishme të ripohohet barazia e sekseve, posaçërisht edukimi i grave ndër vendet në zhvillim, e kjo jo vetëm për vlerën që ka ky edukim në vetvete, por edhe për kontributin që japin gratë në edukimin e familjeve e të shoqërisë.
Pyetje: - Cilat janë pikat kryesore të fjalimit tuaj?
Përgjigje: - Së pari, që edukimi nuk i takon vetëm shtetit, por kryesisht prindërve, të cilët janë edukatorët e parë të fëmijëve të tyre. Së dyti, folëm për rëndësinë e fesë si element themelor i kulturës e jo më pak, i shoqërisë. Kujtuam se për fat të keq ka akoma luftëra e konflikte të shkaktuara nga grupe të cilat frymëzohen në mënyrë kriminale nga feja. Prej këndej, nuk duhet harruar se feja nuk mund të kufizohet në një fakt privat, por duhet parë në përmasën e saj shoqërore. E kjo kërkon lirinë fetare, që krijon kushtet për lirinë e kultit e të gjitha manifestimeve të tjera të fesë.
Pyetje: - Ç’kontribut mund të japë Selia e Shenjtë në fushën e edukimit e të formimit?
Përgjigje: - Në botë ka rreth 1500 universitete katolike e 210 mijë shkolla katolike, prej këndej, në se kemi një rrjet botëror, që kontribuon për edukimin e njeriut, për përparimin e tij, besoj se Kisha katolike është ndërmjet protagonistëve. Ne e bëjmë këtë jo vetëm për të çuar kudo Ungjillin, por edhe pse besojmë se ungjillëzimi është në shërbim të përparimit të njeriut e prandaj, duke e lartuar njeriun, i krijojmë kushtet për ta njohur të vërtetën e plotë, duke e lënë të lirë të vendosë.







All the contents on this site are copyrighted ©.