2007-10-22 18:22:01

14 pika interesante, por asnjë marrëveshje serbo-kosovare në Vjenë


(22.10.2007 RV)U zhvilluan sot bisedimet serbo-kosovare në Vjenë, me ndërmjetësimin e Treshes SHBA-BE-Rusi. Sipas përfaqësuesit evropian në Treshe, Volfgang Ishinger palët kanë filluar të heqin dorë nga parrullat, por një marrëveshje është akoma larg. Delegacioneve u janë paraqitur 14 pika të reja për shqyrtim, që nuk përmbajnë pjesëmarrjen e Kosovës në OKB, pavarësisht se i japin asaj të drejta të tjera thelbësore, si për shembull, sigurinë se Serbia nuk do të ketë asnjë lloj pranie fizike në vend. Por, kosovarët janë betuar të mos lëshojnë pe përsa i përket pavarësisë, siç e konfirmoi edhe Hashim Thaçi, po sot.
Ndërkaq, NATO-ja e bën të qartë se do të qëndrojë në Kosovë më tej, edhe për faktin se kalimi i pushtetit nga duart e Paktit të Atlantikut në ato të Bashkimit Evropian nuk është akoma i qartë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, nga Ukraina ku ndodhet sot, u ka kërkuar vendeve anëtare të mbajnë në Kosovë kontingjentin e tyre dhe të përgatiten për çdo lloj situate në muajt e ardhshëm.

Sot në Kiev të Ukrainës zhvillohet takimi i ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore. Kjo mbledhje është e përvitshme dhe bëhet për të miratuar planin e stërvitjeve të vitit të ardhshëm. Do të bisedohet edhe për angazhimet e Brigadës Multinacionale Paqësore të Evropës Juglindore, anëtare e së cilës duhet të bëhet Ukraina. Pikërisht në këtë kuadër, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts u ka kërkuar Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë të vazhdojnë reformat për anëtarësimin në NATO. Këto vende presin një ftesë për anëtarësim në samitin e NATO-s në Bukuresht, që do të mbahet në vitin 2008, por deri tani nuk është dhënë asnjë siguri për këtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.