2007-10-21 17:55:34

Në Napoli, Takimi ndërfetar "Njerëz dhe fe". Intervistë me presidentin e Bashkësisë së Shën Egjidit.


(21.10.2007 RV)RealAudioMP3 Pikërisht Napoli, ku ishte sot për vizitë Papa Benedikti XVI, është zgjedhur këtë vit për Takimin ndërfetar tradicional “Njerëz dhe fe”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit. Të dëgjojmë presidentin e Bashkësisë, Marko Impaliaco:
Jemi në Napoli e shumë të kënaqur që ndodhemi këtu. Ne, në bashkëpunim me Kishën e vendit, duam të punojmë e t’i përjetojmë këto ditë si shenja të mëdha shprese për qytetin dhe për botën. Napoli është edhe qytet i Mesdheut dhe e dimë se gjatë historisë, Mesdheu ka qenë vend bashkëjetese ndërmjet feve të ndryshme si Islami, hebraizmi dhe krishterimi, por Mesdheu ka qenë dhe është akoma edhe teatër dhune, lufte, ndarjeje. Në veçanti, do ta përqëndrojmë vëmendjen mbi Lindjen e Mesme e mbi çështjen izraelito-palestineze. Napoli, si qytet mesdhetar, si qytet që ka ditur të përjetojë në historinë e vet shekuj bashkëjetese, mund të jetë e të bëhet një mesazh dialogu e paqeje për botën.
Në edicionin e sivjetëm keni decentralizuar disa takime për të përfshirë edhe realitetet në periferi. Përse ky vendim?
Sepse, në fund të fundit, Napoli dhe Kampania janë një gjë e vetme, në kuptimin që Kampania është një rajon i madh, shumë i populluar, shumë katolik e shumë fetar. Napoli dhe rajoni i Kampanias janë shprehje e asaj që në Itali njihet si “katolicizëm i popullit”. Nuk mund ta mbanim jashtë takimit popullin, popullin e shumënumërt kristiano-kampan, i cili na kërkoi të shkojmë në qytetet dhe fshatrat e tij për të folur mbi dialogun e për të takuar botë të ndryshme fetare.
Edhe këtë vit, janë të shumtë krerët e besimeve të tjera të krishtera, atij ortodoks, atij protestant… që marrin pjesë në tryezat e rrumbullakta që keni organizuar. Është kjo një dëshirë e juaja për t’i dhënë një impuls të ri dialogut ekumenik?
Po, pikërisht një impuls të fuqishëm dialogut ekumenik. Kurrë më shumë se këtë vit ne jemi nderuar me pjesëmarrjen e personaliteteve të rëndësishme të botës ortodokse, protestante dhe anglikane. Po jap vetëm emrat e Patrikut të Stambollit, Bartolomeu I, të kryeipeshkvit të Kanterburit Uilliams, të kryeipeshkvit të Qipros, primat i asaj Kishe. Pra, shumë e shumë prani ekumenike, që nënvizojnë idenë se shumë duan të punojnë për një afrim ndërmjet Kishave.








All the contents on this site are copyrighted ©.