2007-10-19 17:13:28

Benedikti XVI presidentit të Tanzanisë, Kikvete: të krishterët e myslimanët të bashkëpunojnë për paqen në Afrikë.


(19.10.2007 RV)Situata delikate në zonën afrikane të Liqeneve të Mëdha, impenjimi i Kishës për zhvillimin shoqëror dhe bashkëjetesa ndërmjet feve të ndryshme, posaçërisht ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, ishin temat kryesore rreth të cilave u shkëmbyen mendime sot paradite, në takimin e Benediktit XVI me presidentin e Tanzanisë, Jakaja Mrisho Kikvete, i cili u prit në Vatikan.Më pas kreu i shtetit afrikan u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone. Gjatë bisedimeve – saktëson një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - pasi u kujtua roli që luan prej vitesh Tanzania për paqëtimin e zonës së Liqeneve të Mëdha, u fol kryesisht për marrëdhëniet ndërmjet Kishës e shtetit dhe për kontributin e katolikëve në progresin e popullit tanzanian, posaçërisht në fushën e edukimit, të shëndetësisë e të veprave të bamirësisë. U theksua edhe nevoja e bashkëjetesës ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme, posaçërisht ndërmjet katolikëve e myslimanëve. Nga ana e Selisë së Shenjtë – përfundon komunikata – u ripohua impenjimi i Kishës katolike dhe i institucioneve të saj për zhvillimin e gjithanshëm e të harmonishëm të mbarë popullit tanzanian.







All the contents on this site are copyrighted ©.