2007-10-18 17:39:14

Bashkimi Evropian caktoi Ditën Evropiane kundër trafikut të qënieve njerëzore


(18.10.2007 RV)RealAudioMP3 Bashkimi Evropian shpalli ditën e sotme, 18 tetorin, si ditën evropiane kundër trafikut të qënieve njerëzore. Kjo është hera e parë që kremtohet një ditë e tillë, e cila ka për qëllim ta nxjerrë në pah problemin e ta shtrojë për zgjidhje. Në Bruksel po zhvillohet një konferencë me temën: “Trafiku i qënieve njerëzore: është momenti për veprim”. Por cilat janë përmasat e fenomenit? Në mikrofonin tonë Rikardo Moska, zëdhënës i skuadrës mediatike Drejtësi, Liri dhe Siguri në Komisionin Evropian:
Kemi të bëjmë me një fenomen në rritje, dramatik për viktimat dhe për shoqërinë, e ashtuquajtur “civile”, që në një farë mënyre, është bujtësja e këtij trafiku qëniesh njerëzore. Çdo vit flitet për dy milion e gjysëm persona, subjekt i këtij trafiku, 500 mijë prej të cilëve vetëm në Evropë. Organizata Botërore për Emigracionin ka vlerësuar se në vitin 2005, së paku 12,3 milion vetë jetonin në një gjendje pune të detyruar. Një e pesta e tyre kishin kaluar nëpërmjet trafikut të qënieve njerëzore. Ky fenomen pasuron një sërë organizatash kriminale të botës mbarë, që funksionojnë edhe në sajë të internetit. Duket se biznesi arrin në rreth 12 miliard dollarë në vit.







All the contents on this site are copyrighted ©.