Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Injacin e Antiokisë, ipeshkëv e martir.
(17.10.2007 RV)17tetori është data
e martirizimit të Shën Injacit, ipeshkvit të tretë të Antiokisë, qyteti më i rëndësishëm
në Siri e në mbarë botën e lashtë, pas Romës dhe Aleksandrisë. Mjafton të kujtojmë
se ipeshkvi i parë i këtij vendi ishte vetë Shën Pjetri. E Injaci qe pasardhësi i
tij i denjë, një nga shtyllat e Kishës, ashtu siç ishte edhe Antiokia shtyllë e botës
së lashtë. Nuk qe shtetas romak e me sa duket, nuk kishte lindur i krishterë.
Madje të dhënat dëshmojnë se ishte në moshë të pjekur, kur u kthye në fenë e krishterë.
Por kjo nuk e pengoi të bëhej bari tepër i zellshëm. Ndërsa ishte ipeshkëv i
Antiokisë, perandori Trajan nisi ta persekutonte Kishën, duke mbytur njëri pas tjetrit
njerëzit më të shquar për urti e shenjtëri në hjerakinë e saj. I arrestuar e i caktuar
për t’u flakur në mes të bishave të egra, Injaci arriti në Romë i lidhur me vargonj,
pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm. Në kryeqytetin e Perandorisë bëheshin përgatitje
të ethshme për festime të mëdha në nder të perandorit, fitimtar në Dakí, e martirët
e krishterë do të shërbenin për shfaqjet e cirkut, ku do të shqyheshin nga bishat. Gjatë
shtegtimit të tij nga Antiokia në Romë, Injaci Ipeshkëv shkroi shtatë letra, që konsiderohen
jo më pak të rëndësishme se letrat e Shën Palit. Në këto letra, ipeshkvi që po shkonte
drejt një vdekjeje të tmerrshme, i porosiste besimtarët të largoheshin nga mëkati,
të ruheshin nga Gnostikët e sidomos, të çelnikosnin unitetin e Kishës. Kërkonte edhe
një gjë tjetër, duke iu drejtuar posaçërisht të krishterëve të Romës: të mos ndërhynin
për ta shpëtuar nga martirizimi. “Ju nuk humbisni asgjë – u shkruante - ndërsa unë
humbas Zotin, në se shpëtoj nga dhëmbët e bishave. Nuk do të kem kurrë më një fat
të tillë për t’u bashkuar me Të. Më lini, prandaj, të flijohem tani, që elteri është
gati. Të bashkuar të gjithë në një kor të vetëm, këndoni: “Zoti u denjua ta çojë nga
Lindja në Perëndim Ipeshkvin e Sirisë”. Në përfundim shpërthente, duke krijuar
një nga figurat më të famshme në historinë e Martirëve: “Më lini të jem ushqim për
bishat, të cilat do të më bëjnë të shijoj Hyjin. Jam grurë i Hyjit. Duhet të bluhem
nga dhëmbët e egërsirave, që të bëhem bukë e Krishtit”.E, si arriti në Romë në vitin
107, ipeshkvi i Antiokisë u blua vërtetë nga dhëmbët e bishave të pafajshme të cirkut,
për të cilat Martiri gjeti shprehje poetike të pazakonshme: “Përkëdhelini – shkruante
– që të jenë varri im; të mos lënë gjë prej gjëje nga trupi im e të mos trazohet askush
për të më varrosur!”.