2007-10-17 18:26:00

Kosovë: Tadiç, "nuk dua një shtet të vogël mysliman"


(17.10.2007 RV)Serbët i rikthehen edhe një herë rrezikshmërisë së shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Presidenti Boris Tadiç, nga Vjena ku ndodhet, përsëriti edhe një herë se rasti i Kosovës do të përbënte një precedent për të gjitha aspiratat separatiste në zonën e Ballkanit dhe më gjerë. Nuk është e qartë për shembull, tha ai, se si mund të reagojnë 1 milion e gjysëm serbë në Bosnjë-Hercegovinë. Duke nënvizuar edhe një herë qëndrimin e vjetër serb ndaj Kosovës, Tadiç theksoi:”Nuk dua një Serbi apo një Kroaci më të madhe dhe një shtet islamik më të vogël”.
Ndërkaq, duke iu referuar deklaratave të djeshme në Romë të ministrit të jashtëm serb, Vuk Jeremiç, Departamenti amerikan i Shtetit i ka hedhur poshtë akuzat e Serbisë se po bllokon arritjen e një kompromisi rreth Kosovës. "Ne po punojmë aktivisht si pjesë e treshes ndërmjetësuese", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Kesei.



Rusia nuk e shikon 10 dhjetorin si fundin e procesit për përcaktimin e statusit të Kosovës, deklaroi sot i dërguari rus në Bashkimin Evropian Vladimir Çizhov.
10 dhjetori shënon vetëm fundin e një faze, tha Çizhovi, por pas dorëzimit të raportit të Treshes, do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, ai që do të vendosë se ç’duhet bërë: të vazhdohet puna e negociatorëve, apo të hapen rrugë të reja. “Të shpresojmë se deri më 10 dhjetor do të mblidhen elementë të mjaftueshëm pozitivë që bisedimet të vazhdojnë edhe më tej", tha diplomati i lartë rus.







All the contents on this site are copyrighted ©.