2007-10-17 18:23:25

Italia e Britania ratifikuan Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.


(17.10.2007 RV)Qeveria e Tiranës falenderoi në mënyrë të veçantë Italinë, e cila konsiderohet partner strategjik për integrimin në Bashkimin Evropian. Marrëveshja është nënshkruar në qershor të vitit 2006 dhe para se të hyjë në fuqi e ndër të tjera, t’i mundësojë shqiptarët të lëvizin pa viza, duhet ratifikuar nga 27 vendet evropiane. Deri tani janë bërë 12 ratifikime, por Shqipëria shpreson që procesi të përfundojë në semestrin e parë të vitit 2008.


Qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë 25% më shumë taksa në formën e tatimit mbi të ardhurat personale gjatë vitit të ardhshëm. Ky është parashikimi sipas projektbuxhetit për vitin fiskal 2008, i cili sapo u miratua në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Për ironinë e fatit, shpallja bëhet pikërisht në Ditën Botërore kundër Mjerimit.
Parashikimi i të ardhurave për vitin 2008 është bazuar në ndryshimet në politikën fiskale, një pjesë e të cilave tashmë kanë hyrë në fuqi. Ata që do ta vuajnë më shumë zbatimin e politikës fiskale të taksës së sheshtë janë personat që kanë rrogat më të ulta. Në fakt, sipas politikës së mëparshme, ai që kishte rrogë më të ulët paguante më pak taksa, se ai që fitonte më shumë. Ndërsa taksë e sheshtë do të thotë që të gjithë paguajnë njësoj, e saktësisht në masën 10% të rrogës. Është e vërtetë, që siç ka trumbetuar qeveria e Tiranës, ky është një nivel nga më të ultit në botë, por është harruar të sqarohet se pak shtete e kanë vënë në zbatim e një kryeministër siç është britaniku Gordon Braun e hedh poshtë propozimin sa herë që ia servirin. Kush përfiton në të vërtetë nga taksa e sheshtë janë pikërisht ata që fitojnë më shumë e që duhet të kontribuojnë më shumë për mbarëvajtjen e shoqërisë me taksat e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.