2007-10-17 18:05:24

Benedikti XVI do të emërojë 23 kardinaj të rinj në Konçistorin e 24 nëntorit: njoftimi u dha në audiencën e përgjithshme kushtuar Shën Euzebit.


(17.10.2007 RV)RealAudioMP3 Dëshmia e Shën Euzebit të Verçelit, ipeshkvit të parë të Italisë veriore dhe thirrja kundër mjerimit në botë, ishin në qendër të vëmendjes në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Por Papa i njoftoi besimtarët edhe për mbledhjen e Konçistorit, të cilit do t’i shtohen 23 kardinaj të rinj, 18 me të drejtë zgjedhore.
Kardinajtë e rinj, që do të krijohen në Konçistorin e 24 nëntorit të ardhshëm, janë:
Imzot Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore;
Imzot Gjon Patrik Folei, pro-Mjeshtër i Madh i Urdhërit të Kalorësve të Varrit të Shenjtë të Jeruzalemit;
Imzot Gjovani Lajolo, kryetar i Komisionit Papnor dhe i Governatoratit të Qytet-Shtetit të Vatikanit;
Imzot Paul Jozef Kordes, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum;
Imzot Angjelo Komastri, kryeprift i Bazilikës së Vatikanit, vikar i përgjithshëm për Qytet-Shtetin e Vatikanit dhe drejtor i Fabrikës së Shën Pjetrit;
Imzot Stanislao Rilko, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët;
Imzot Rafaele Farina, arkivist e bibliotekar i Kishës Shenjte Romake;
Imzot Agustin García- Gasko Viçente, kryeipeshkëv i Valencies (Spanjë);
Imzot Shon Batist Bredi, kryeipeshkëv i Armagh (Irlandë);
Imzot Luis Martinez Sistah, kryeipeshkëv i Barcelonës (Spanjë);
Imzot André Vënt-Trua, kryeipeshkëv i Parisit (Francë);
Imzot Angjelo Banjasko, kryeipeshkëv i Gjenovës (Itali);
Imzot Teodor-Adrien Sarr, kryeipeshkëv i Dakarit (Senegal);
Imzot Osvald Gracias, kryeipeshkëv i Bombeit (Indi);
Imzot Francisko Robles Ortega, kryeipeshkëv i Monterreit (Meksiko);
Imzot Daniel N. DiNardo, kryeipeshkëv i Galveston- Hjuston (SHBA);
Imzot Odilio Pedro Sherer, kryeipeshkëv i Sao Paulos (Brazil);
Imzot Gjon Njue, kryeipeshkëv i Nairobit (Kenia).
Janë, pastaj, edhe tre prelatë e dy kishtarë të mirënjohur për impenjimin e tyre në shërbim të Kishës: Fortlumturia e Tij Emanueli III Deli, patrik i Babilonisë së kaldejve; imzot Gjovani Kopa, nunc apostolik; imzot Estanislao Esteban Karliç, kryeipeshkëv nderi i Paranà (Argjentinë); Atë Urbano Navarretë, jezuit, ish-rektor i Universitetit Papnor Gregorian; Atë Umberto Beti i Fretërve të vegjël, ish-rektor i Universitetit Papnor Lateranens.
Më pas Papa njoftoi se në listën e kardinajve pa të drejtë zgjedhore, figuronte edhe ipeshkvi i moshuar polak Injaci Jez, që vdiq dje papritmas.
Kështu Konçistori i ri do të ketë vetëm një kardinal më pak se numri i caktuar nga Papa Pali VI e i konfirmuar nga Gjon Pali II. Benedikti XVI nënvizoi se në të do të mund të bënin pjesë edhe shumë të tjerë e se shpreson që në të ardhmen do të ketë mundësi t’ua dëshmojë edhe në këtë mënyrë, atyre e vendeve të cilave u përkasin, nderimin e dashurinë që ka për ta.
E për shërbimin dhe besnikërinë ndaj Kishës, Papa foli edhe në katekizmin e audiencës. “Të shpëtosh shkallën e drejtë të vlerave, pa u përkulur kurrë para modave të çastit e preteksteve të padrejta të sundimtarëve”: me këtë porosi Papa sintetizoi sot një nga mësimet e ipeshkvit të Verçelit, figurë e ndritur e shekullit IV. Kur perandori mbështeti herezinë ariane, Euzebi u detyrua të merrte udhën e hidhur të internimit, thjeshtë sepse nuk pranoi të mohonte fenë e vet, nuk pranoi të mohonte natyrën plotësisht hyjnore të Jezusit, përcaktuar nga Koncili i Nikesë: e ky është një nga elementet kryesore të shenjtërisë së tij, të cilën Papa ia kujtoi sot besimtarëve. Një element tjetër është themelimi nga ana e tij e një bashkësie meshtarake sipas modelit monastik. E kjo do të thotë – shpjegoi Benedikti XVI – se ai pati ndjekur e u pati kërkuar edhe ipeshkvijve të ndiqnin rregullat e jetës monastike, ndonëse jetonin në zemër të qyteteve; u pati kërkuar edhe të merrnin pjesë në zgjidhjen e problemeve të bashkëqytetarëve, por duke pasur në zemër një qytetari tjetër, të ndryshme, atë të Qiellit”:
“Shkalla e vërtetë e vlerave – duket sikur na thotë e gjithë jeta e Euzebit, nuk vjen nga perandorët e djeshëm e as të sotëm, por vjen nga Jezu Krishti”.
E kështu – shtoi Benedikti XVI – Shën Euzebi, që ishte shumë i lidhur me qytetin e tij, në të cilin nuk banonte vetëm popullsi e krishterë, por edhe njerëz që nuk e ndiqnin Kishën, arriti të bëhet prijës shpirtëror i të gjithëve.
Gjatë përshëndetjeve në shumë gjuhë, Papa kujtoi 20-vjetorin e Ditës për mospranimin e mjerimit, që njihet nga Kombet e Bashkuara si Dita ndërkombëtare për zhdukjen e varfërisë, duke bërë thirrje që të shumfishohen përpjekjet për zhdukjen e shkaqeve të varfërisë dhe të pasojave tragjike që rrjedhin prej tyre: “Kushtet në të cilat jeton një numër i madh personash janë të tilla, sa të fyejnë dinjitetin e njeriut e, si pasojë, të vënë në rrezik progresin e vërtetë e të harmonishëm të bashkësisë botërore”.
Pabarazia ndërmjet të pasurve e të varfërve është bërë tepër e dukshme e shqetësuese edhe brënda kombeve ekonomikisht më të zhvilluara – nënvizoi në përfundim Benedikti XVI, duke folur për situatën e rëndë, që duhet ta shqetësojë seriozisht ndërgjegjën e mbarë njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.