2007-10-16 17:27:57

Papa në mesazhin drejtorit të FAO-s, për Ditën Botërore të Ushqimit:‘Të gjithë duhet të luftojmë kundër urisë’.


(16.10.2007 RV)RealAudioMP3 Çlirimi i miliona njerëzve nga uria është një nga sfidat më urgjente të kohës sonë – thekson Papa në mesazhin adresuar drejtorit të përgjithshëm të FAO-s, Zhak Diëf me rastin e Ditës së sotme Botërore të Ushqimit. Papa nënvizon se janë të papranueshme kushtet në të cilat jetojnë mijëra njerëz, jeta e të cilëve është në rrezik sepse u mungon buka e përditshme. Sipas të dhënave të OKB-së, ende sot, më se 850 milionë njerëz, vuajnë nga uria.
Prandaj secili nga ne duhet ta ndjejë veten të gatshëm për të bashkëpunuar që të gjithë njerëzit ta gëzojnë një të drejtë themelore, siç është e drejta për t’u ushqyer. Këtë kërkon edhe Benedikti XVI, i cili kujton se për të fituar mbi urinë në botë, duhen bërë përpjekje sa individuale, aq edhe ndërkombëtare. Eshtë një rast – shkruan Papa, duke kujtuar ditën e sotme kushtuar ushqimit, që na nxit për të vënë theksin mbi rëndësinë e dorës së parë që ka e drejta e ushqimit, nga e cila rrjedhin të gjitha të drejtat e tjera, duke filluar nga e drejta për të jetuar. Me keqardhje të thellë Papa vëren se përpjekjet që janë bërë deri tani, nuk duket se e kanë pakësuar numrin e të uriturve në botë. Nga ana tjetër, Benedikti XVI ndalet tek përmasa etike e luftës kundër urisë, duke theksuar se është e detyrueshme t’u japësh të hanë të gjithë të uriturve të botës. E që të realizohet një detyrë e tillë, duhet që çdo njeri të jetë solidar e t’i ndajë me të tjerët jo vetëm të mirat materiale, por edhe dashurinë, për të cilën kanë nevojë të gjithë. Në se japim vetëm të mira materiale – thekson Ati i Shenjtë – jemi duke dhënë tepër pak. Shkelja e së drejtës së ushqimit – vijon – nuk është vetëm pasojë e shkaqeve natyrore, por kryesisht e situatave të shkaktuara nga vetë dora e njeriut, që sjell dëme të rënda të tipit shoqëror, ekonomik e njerëzor. Prej këndej, gjithnjë më shumë njerëz, të shtyrë nga mjerimi e nga konfliktet, detyrohen të largohen nga vatrat e tyre, nga të dashurit e tyre e të kërkojnë një jetë më të mirë nëpër udhët e botës. Prandaj është e nevojshme që mbarë bashkësia ndërkombëtare ta konsiderojë, me vetëdije, të drejtën për t’u ushqyer, si një nga të drejtat themelore që u përket të gjithë njerëzve, pa asnjë dallim. Objektivi i çrrënjosjes së urisë dhe i sigurimit të ushqimit të shëndoshë e të mjaftueshëm për të gjithë, kërkon edhe zbatimin e metodave që respektojnë trashëgiminë e Gjithësisë. Veçanërisht Papa kërkon të vlerësohen ritmet e natyrës, të njohura mirë nga banorët e fshatrave. Njëkohësisht Ati i Shenjtë nënvizon se ka shumë rëndësi të mbrohen traditat e popullsive vendase, duke hequr dorë nga vlerësimet egoiste dhe nga përjashtimet ekonomike.Papa kujton në mënyrë të veçantë fëmijët, viktimat e para të kësaj tragjedie, që shtrëngohen të bëjnë punë të detyruar ose rekrutohen në grupet e armatosura, për një kafshore bukë. Në këto rrethana uron që nismat e marra në të gjitha drejtimet, të krijojnë mundësitë që njerëzit e uritur ta shikojnë më me besim të ardhmen. Mesazhi përfundon me një inkurajim për FAO-n, duke uruar që të vijojë veprimtarinë për t’u siguruar ushqimin e mjaftueshëm të gjithë njerëzve në botë.
Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun nënvizoi se duhet njohur roli i të drejtave të njeriut në përpjekjen për të çrrënjosur urinë dhe varfërinë si dhe për të punuar së bashku që të gjithë të gëzojnë të drejtën e patjetërsueshme për t’u ushqyer.







All the contents on this site are copyrighted ©.