2007-10-16 17:47:44

Jeremiç në Itali: Kosova e pavarur, deklaratë "shok" për rajonin


(16.10.2007 RV)Vuk Jeremiç, ministri i jashtëm serb ndodhet sot në Romë, ku është takuar me autoritetet italiane, pas takimit serbo-kosovar të së dielës në Bruksel në praninë e Treshes negociatore.
Një deklaratë e njëanshme e kosovarëve për pavarësinë – tha sot Jeremiç, pas bisedimeve me homologun e tij italian, Masimo D’Alema – do të ishte shumë e rrezikshme, një “shok” i vërtetë për rajonin, i cili edhe në vitet ’90 ka vuajtur pasojat e deklaratave të njëanshme. Për këtë, Beogradi i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të çkurajojë palët që të mos ndërmarrin asnjë aksion të njëanshëm dhe të impenjohen për gjetjen e një kompromisi paqësor. Sipas Jeremiçit, data e 10 dhjetorit është tepër afër për të shpresuar në ndonjë zgjidhje. Ai foli me një optimizëm të kujdesshëm për takimin e Brukselit, pavarësisht se si serbët, ashtu edhe kosovarët mbeten në qëndrimet e tyre. Por është hera e parë që bisedojnë sy në sy, theksoi ministri i jashtëm serb, e do të kishte qenë mirë që kjo të kishte ndodhur shumë kohë më parë.
Nga ana e tij, ministri i jashtëm italian, Masimo D’Alema, duke theksuar mbështetjen e plotë të Italisë për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, deklaroi se mënyra më e mirë për të vazhduar bisedimet mbi statusin përfundimtar të Kosovës është që asnjëra nga palët të mos thotë se ç’do të bëjë nëse nuk do të arrihet një marrëveshje më 10 dhjetor.
Po sot, kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica ngriti zërin në polemikë me Uashingtonin, i cili, sipas tij, po zbaton një politikë force që ka për qëllim dizintegrimin e Serbisë. Koshtunica i akuzon SHBA-të se po i pengojnë kosovarët të marrin në konsideratë një propozim të mundshëm kompromisi me serbët, për t’ia dorëzuar Kosovën NATO-s, ashtu siç parashikohet nga pika 11 e planit të Ahtisarit. Por Kosova, nënvizoi kreu i qeverisë së Beogradit, nuk është trofeja e luftës për NATO-n.







All the contents on this site are copyrighted ©.