Në Pakistan rriten aktet e dhunës kundër pakicave të krishtera
(15.10.2007 RV)Paqëndrueshmëria
e madhe politike në Pakistan dhe rritja eksponenciale e ekstremizmit islamik u kanë
shkaktuar jo pak probleme të krishterëve që jetojnë në vend. Që prej disa vitesh,
është rritur dhuna kundër personave, enteve dhe vendeve kristiane të kultit. Kjo situatë
denoncohet edhe nga raporti i fundit i organizatës jo qeveritare “Human Rights Monitor”
(Monitori i të drejtave të njeriut), i cili i kushtohet “Abuzimeve ndaj pakicave fetare”.
Në një popullsi prej 150 milion banorësh, të krishterët pakistanezë janë rreth 3 milion,
gjysma e të cilëve katolikë. Të dëgjojmë Lorenco Kremonezin, i dërguari i gazetës
italiane “Corriere della Sera” në Pakistan: Gjendja për të krishterët e Pakistanit
është keqësuar shumë pas luftës në Afganistan. Ka pasur një fazë të parë shumë të
përgjakshme, me një dyzinë kishash të djegura, sulme kundër shkollave të krishtera
e kështu me radhë. Gjatë dy vjetëve të fundit ka pasur më pak fakte kaq të jashtëzakonshme,
por është përhapur një lloj intolerance dhe dhune kundër bashkësisë së krishterë,
pa dallime ndërmjet anglikanëve apo katolikëve. Gjatë kohëve të fundit, gjendja është
keqësuar për të gjitha institucionet e krishtera, në veçanti për shkollat, të cilat
ndodhen në të ashtuquajturat zona fisnore, pra ndërmjet Peshauarit, Uaziristanit dhe
Baluxhistanit. Ndër të tjera, edhe vetë të krishterët kanë frikë të flasin. Sa
ndiqen këta ekstremistë nga popullsia? Kohët e fundit, në Pakistan, elementi
fondamentalist mysliman është në rritje dhe është shumë i dhunshëm në zonat pranë
Afganistanit, ku ushtria dhe trupat qeveritare nuk kanë asnjë rol, nuk mund të hyjnë
e kapen rob. Madje 280 ushtarë kanë dorëzuar armët para milicive filotalebane në Uaziristan.
Duhet shtuar se pasiguria institucionale nuk ndihmon, pasi vëmendja e ministrisë së
mbrojtjes, së brendshme dhe e policisë është e përqëndruar në krizën aktuale institucionale,
në vend që të merren me rendin. Liderët e krishterë u kërkojnë myslimanëve
dialogun dhe moderimin, por pas 11 shtatorit, të krishterët kanë pas etiketën e amerikanëve,
të luftës e të gjendjes në Irak.