2007-10-15 18:23:16

Më 15 tetor kalendari kishtar kujton Shën Terezën e Avilës.


(15.10.2007 RV)Tereza de Cepeda y de Ahumada, lindi në Avilë të Spanjës në vitin 1515. Pati fatin të njihej së afërmi me Shën Gjonin e Kryqit, i cili u bë këshilltari e bashkëpunëtori i saj më i ngushtë. Nën drejtimin e Terezës nisi një mision që dukej krejt i pazakontë për një grua. Themeloi Urdhërin e Karmelitaneve të zbathura, i cili u përhap me shpejtësi në gjithë Spanjën e përtej. E kaloi gjithë jetën ndërmjet vegimeve mistike, ekstazave e veprimtarisë më të zellshme praktike. Pati letërkëmbim me njerëzit më të shquar të kohës, duke nisur nga mbreti i Spanjës, Filipi II.
Në një nga letrat e saj, shkruan: “Tereza, pa hirin e Zotit, është një grua pa kurrfarë vlere; me hirin e Zotit, është forcë; me hirin e Zotit e me para, bëhet fuqi”.
“Historia e një jete”, shkruar nga Shën Tereza me këshillin e rrëfyesit të saj, vlerësohet si një nga librat më të sinqertë e më prekës që është shkruar ndonjëherë. Eshtë historia një shpirti, që lufton me të gjitha forcat për t’u lartuar drejt Zotit, ndonëse i duhet të kalojë vështirësi jo të pakta. Prandaj figura e saj bëhet shumë e afërt për ne, sepse duke qenë si ne, njeri me mish e gjak, arrin përsosurinë ungjillore, të cilën e dëshiron çdo besimtar.Vdiq në Alba de Tormes natën e 14 tetorit, pikërisht ndërmjet natës e ditës kur hynte në fuqi Kalendari Gregorian, prandaj të nesërmen ishte data 15 tetor e vitit 1582. Shenjte u shpall në vitin 1622 e, në vitin 1970, nën papninë e Palit VI, iu dha titulli Dijetare e Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.