Benedikti XVI priti sot në audiencë një grup ipeshkvijsh të Kongo-Brazavilit, në vizitë
'ad Limina'.
(15.10.2007 RV)Para se të flasim për vizitën e ipeshkvijve në Vatikan, të njohim
realitetin e Kishës kongoleze. Eshtë kishë guximtare, në shërbim të Ungjillit e
të më të varfërve. E ungjillëzuar më se njëqind vjet më parë nga Etërit Spiritanë,
bashkësia katolike në Kongo-Brazavil u rrit ndjeshëm posaçërisht në gjysmën e parë
të shekullit të kaluar. Sot 58% e 3 milion banorëve të vendit, është katolike. Në
rritje, edhe thirrjet për rrugën meshtarake e rregulltare. Tani Kongo ka një kryedioqezë,
pesë dioqeza e një prefekturë apostolike. Besimtarëve u shërbejnë 400 meshtarë. Pas
20 vjet sundimi të qeverive me prirje marksiste, Kisha është e impenjuar në rindërtimin
shpirtëror të shoqërisë civile kongoleze. Vitet e fundit ipeshkvijtë kanë denoncuar
të këqijat nga të cilat vuan thellësisht shoqëria kongoleze, që nga mjerimi - tek
Sida, nga shpërbërja e familjeve, tek aborti e tek shfrytëzimi i keq i pasurive të
nëntokës. Nga ana tjetër, Kisha kongoleze është plot gjallëri e shumë nga të rinjtë
e saj pranojnë të nisen si misionarë. Por, mbi sfidat e Kishës në Kongo, të ndjekim
imzot Luis Portela Mbuyu, ipeshkëv i Kinkalës dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore
të Kongo-Brazavilit:“Sot kemi shumë punë për të bërë në baritorinë familjare. E
kjo, sepse numri i martesave të krishtera është pakësuar: formohen shumë çifte, por
kur është fjala për të vënë kurorë në Kishë, fillojnë problemet, në sa vijon të përhapet
praktika e bashkëjetësës, që po shikohet si diçka normale. Duhet bërë shumë, që njerëzit
ta kuptojnë si duhet vlerën e vërtetë të këtij sakramenti. Gjithnjë në fushën baritore,
ipeshkvijtë punojnë aktivisht posaçërisht për formimin e laikëve. Kjo, për mendimin
tim, ka rëndësi të dorës së parë, në se kemi parasysh se në shoqërinë kongoleze mungon
një prani e vërtetë kristiane, ashtu si mungojnë edhe laikët e formuar në sferat vendimtare
politike dhe ekonomike. Ky është problem sa baritor, aq edhe shoqëror: të krishterët
e bindur e të formuar janë ende tepër pak e prandaj nuk kanë peshën e duhur në këto
fusha, në sa ne kemi vërtetë nevojë të formojmë besimtarë që e njohin thellësisht
Doktrinën shoqërore katolike e, posaçërisht, ata që mund ta dëshmojnë në sferat më
me pergjegjësi.