Në përvjetorin e lindjes së At Danjel Gjeçajt (Theth 14 tetor 1913 – Romë 30 gusht
2002)
(14.10.2007 RV)Gjurma e pashlyeshme e nji frati të madh shqiptar:Në përvjetorin
e lindjes së At Danjel Gjeçajt (Theth 14 tetor 1913 – Romë 30 gusht 2002) P. Danjel
Gjeçaj pat lind në Theth të Dukagjinit me 14 tetor 1913, gjuhën shqipe e mësimet
e fesë i mori s’parit prej famullitarit të vet, P. Dedë Bërdicës, e ndoshta tue pa
fratin e Thethit i erdhi edhe dëshira për me veshë zhgunin e Sh’Françeskut. Në
1924 djaloshi dukagjinas ra në Shkodër, tue u bâ nxânës i kolegjës françeskane, e
cila mâ vonë do t’a kishte nëndrejtor të vlertë të vetin, të drejtë e të rreptë, me
nji kujdes e nji mendim të vetëm në zemër: të mirën e të ardhmen e dishepujve të vet
të vogjël. Mâ vonë ai vijoi liceun «Illyricum», nji votër e madhe e nji punishte
e papame për kombin tonë, prej kah dolën trajta të reja njerzish, të formuem me ideale
atdhetare e me moral të naltë, gjâ që, shumë prej tyne do t’i ndihmonte me përballue
me nder e pa u thye sprovat e randa që diktatura komuniste e urrejtja shumëshekullore
do të derdhte me terbim. Profesorat e këtij liceu ishin fretnit e mëdhaj tue fillue
prej poetit tonë kombëtar: Gjergj Fishtës, tue vazhdue me filozofín e hollë e të kthiellt:
P. Anton Harapin, me lirikun e ipeshkvin e ardhshëm: P. Vinçenc Prennushin e tue vijue
me rradhë: P. Marin Sirdani, P. Ambroz Marlaskaj, P. Pashk Bardhi etj. Në 1933
P. Danjeli mbaroi noviciatin e mbas tri vjetsh kreu liceun me vlersime të nalta, gja
që bâni të parët e tij me e dërgue për studime në Siena të Italisë. Në Siena ai do
të qindronte deri në vjetin 1939, kur u shugurue meshtar me 25 korrik e tha meshën
e parë. Vjetin tjetër P. Danjeli u dërgue në Fulda të Gjermanisë, ku studjoi deri
në 1940. Dëshira i tij ishte me i shërbye provincës së tij e popullit të krishtenë
e për ketë arsye u kthye në atdhe, n’ato çasa tragjike kur lufta vllavrasëse sapo
kishte fillue. Pak mbas marrjes së pushtetit prej komunistave, si pasojë edhe të
terrorit që u zhgreh anekand vendit, P. Danjeli shkoi famullitar në Plan, ku vazhdonte
me qenë në shenjestër të pushtetarëve të rij aq sa u demaskue prej tyne në Kodër Shëngjergj
si anmik i popullit. Miqtë e tij bashkëfshatarë, nacionalista të vendosun, e ndihmuen
me kalue kufinin në vjetin 1948 tue e përcjellë në Jugosllavinë e Titos. Kaloi kufinin
së bashku me 36 vetë të tjerë, të prîmë prej Nik Sokolit e Gjon Dostanishës, e ndër
të tjerë bajshin pjesë n’atë grup edhe shkrimtari i ardhshëm Martin Camaj e rapsodi
i maleve Gjergj Pllumi. Nuk pranoi me bashkëpunue me UDB-në për ketë arsye u dërgue
së parit me punue në hekurudhë në Barashumanoviq e mandej asistent i inxhenjerit gjerman
Vogel, rob luftet, në Fushë të Zezë afër Podgoricet. Kaloi në Herzegnovi e Surdulicë
e mandej ju bâ e mujtun me ushtrue mësuesín në katundin e Preshevës. Në Preshevë,
mësues Marku u bâ fort i dashtun me të gjitha familjet myslimane shqiptare që e mbajshin
si vëlla të vetin, para të cilit, në shêj nderimi e respekti, nuk i mëshehshin gratë. Në
1955, i ndihmuem prej Ernest Koliqit, mujti me kalue në Italí e me u vendos në Toskanë.
Në ketë kohë komiteti «Shqipnija e Lirë» e ngarkoi me ribotue kryevepren e Fishtës,
«Lahuten e Malcís». P. Danjeli kujdesoi botimin e kësaj vepre, që si pak të tjera
âsht shtyp mrekullisht pa gabime. Shtypajt i korrigjonte së bashku me të ndyerin Petro
Vuçani, korrektorin i vemendshëm e të censhëm të «Shêjzave». «Lahuta» doli prej
shtypit në 1958 e pati nji shtampë të dytë në 1989. Në ato vite P. Danjeli bashkëpunoi
dendun me dom Zef Shestanin në programin e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe. Lutja
e fjala e ngohtë që Selija e Shêjt shqiptonte nepërmjet tij për besimtarët katolik
të Shqipnisë, u bânë shumë të dashtuna për familjet shqiptare, të cilat mëshehtas
ndigjojshin nji zâ shpreset e ndihmet shpirtnore. Ndërkaq ai bashkëpunon edhe me
E. Koliqin, tue shkrue artikuj në revisten «Shêjzat» e tue mbajtë konferenca anekand
Italisë e deri në SHBA, në favor të lirisë së popullit shqiptar që po shtypej barbarisht
prej zgjedhës komuniste. Kjo gjâ shqetsonte shumë qeverinë e Tiranës, e cila kërkoi
edhe me e zhdukë fizikisht me anën e agjentave të saj. Por frati i maleve, tashti
i vendosun në Qytetin e Amshuem, nuk u tremb e nuk u shtang, por vazhdoi punen e vet
për të mirën e kombit e të fesë. Në 1958 botoi nji vepër fort të rrallë për kah pikëpamja
e vrojtimit psikologjik dhe e vërtetesisë historike e etnografike: “Andrra e Prêtashit»,
autor së cilës âsht P. Anton Harapi. Kurse në 1994 botoi në Romë «Valë mbi valë»,
tjetër vepër e martirit P. Anton Harapi. Ndërkohë kishin pa dritën e botimit edhe
vepra të tijat origjinale kryesisht tue trajtue argumenta të jetës malcore e figura
reale të atij ambient. Kështu ai botoi veprat «Prel Tuli i Salcës» (Romë, 1988), «Mehmet
Shpendi dhe Mark Sadiku i Shalës» (Romë, 1996), «Te del Kiri» (Shkodër, 2000) dhe
la ne dorëshkrim nji vepër shumë të interesantshme me titull: «Dikur në Dukagjin». Në
1992 botoi nji punim, për të cilin kishte punue, tue mbledhe landë e tue e latue,
tanë jetën e vet. Bahet fjalë për «Jetën e veprën» e Gjergj Fishtës, nji monografí
komplete e shkrueme me njohunín e dëshmitarit syjorë e me zotsín e studjuesit të vërtetë,
me dashnín e françeskanit e me ndjenjat e dishepullit. Kjo vepër âsht sot për sot
nji ndër të vetmet që ka historija e letërsisë tonë përmbi atë që âsht prîsi i saj
i pashoq. Ai vetë, në ketë gjysë shekulli që jetoi në Perëndim, së bashku me dy
fretën tjerë shqiptarë, Prof. Jakob Marlekajn në Bari e Dr. Paulin Margjokajn në Vjenë,
mblodhën libra, dorëshkrime, dokumenta tue formue rishtas atë që u bâ bërthama e bâshme
e bibliotekës së ré françeskane në Gjuhadol. Ky âsht misioni i fretënve, ata janë
kenë e janë: ndër mâ punëtorët, qi duen me zhdrivillue jeten e shoqnueshme të komit,
siç vërente Faik Konica në 1914. Ka pesë vjet tashma që At Danjel Gjeçaj prehet
në tokën e vet, bri asaj palme martirësh prej së cilës ai s’u nda asnji prej çasteve
të jetës së vet. Tue folë për P. Martin Gjokën, dom Lazër Shantoja ka shkrue
do rreshta që mundena me ia mveshë pa zori P. Danjelit tonë: “E kaloi jetën – bujar
me gjak e me shpirt – pa bujë. Nji fytyrë e qeshun, e ambël, e përvujtë: françeskane
në tanë kuptimin e fjalës. Janë fytyra të tilla që i apin gjallní të shenjët atmosferës
typike të heshtjevet kuvendore. Janë këto fytyra të qeshuna, të paqta e të pa-hile,
që na bâjnë të bukur e të lakmueshëm kuvendin”. nga Ardian Ndreca