2007-10-13 16:18:34

Papa viziton Institutin e Muzikës Kishtare: “Të përfshihen në traditën shekullore të melodisë liturgjike edhe të rejat e vlefshme bashkëkohore.


(13.10.2007 RV)Sot Ati i Shenjtë ishte për vizitë në Institutin e Muzikës Kishtare në Romë, me rastin e përfundimit të punimeve të restaurimit. I shoqëruar nga Kancelari i madh, kardinali Zenon Groholevski dhe drejtori i Institutit, Valentin Mizerahs Grau, Papa u prit me këngë gregoriane e polifonike.
“Muzika që këndon me engjëjt, duke shoqëruar liturgjinë, ka tri karakteristika: shenjtërinë, artin e vërtetë dhe universalitetin”. Këto tri cilësi nënvizoi Benedikti XVI në fjalimin e mbajtur gjatë vizitës, duke uruar, në vijim, që trashëgimia e madhe e së kaluarës, të pasurohet më tej me të rejat e vlefshme të së sotmes.
Në këtë kornizë, Papa ripohoi edhe misionin e Institutit të Muzikës Kishtare, skicuar prej kohe në Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit:
“Duke ecur në gjurmët e traditës shekullore, Koncili pohon se ajo përbën një thesar me vlera të pallogaritshme, që shquhet ndërmjet shprehjeve të tjera të artit, posaçërisht për faktin se kënga e kishës, e bashkuar me fjalët, është pjesë përbërëse e liturgjisë solemne”.
I vetëdijshëm për këtë – vijoi Benedikti XVI – Gjon Pali II vërente se edhe sot, si gjithënjë, tri karakteristikat që e dallojnë këtë lloj muzike, janë:
“Shenjtëria’, ‘arti i vërtetë’, ‘universaliteti’, dmth mundësia për t’iu propozuar çdo populli ose çdo tip bashkësie. Pikërisht në këtë këndvështrim, autoritetet kishtare duhet të impenjohen për ta drejtuar me urti zhvillimin e një gjinie të tillë muzikore, duke mos e ngrirë këtë thesar, por duke u përpjekur të përfshijnë në trashëgiminë e së kaluarës edhe të rejat e vlefshme të së sotmes, që të arrihet, kështu, në një sintezë të denjë për misionin e lartë që ka muzika në shërbimin hyjnor”.
Këtë theksoi Benedikti XVI gjatë vizitës e, para se të largohej nga Instituti në rrugën romake ‘Torre Rosa’, Shenjtëria e Tij bekoi një pllakë përkujtimore kushtuar kësaj ngjarjeje dhe shfletoi me interes disa vepra që ruhen në Bibliotekën e Institutit.Kujtojmë se Instituti i Muzikës Kishtare u themelua më 1911 nga Shën Piu X, i cili u kujdes në mënyrë të veçantë për t’ia kthyer shkëlqimin e humbur muzikës kishtare, që ndihmon aq shumë për gjallërimin e kultit. Prandaj, me Motu Proprion e mirënjohur Inter Sollicitudines të vitit 1903, e reformoi muzikën kishtare e, duke e pasur mirë parasysh se ky reformim kërkonte formimin e një numri të madh specialistësh, themeloi edhe Institutin Papnor të Muzikës Kishtare, që së shpejti do të kremtojë 100 vjetorin e lindjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.