2007-10-13 16:07:46

Kalendari i impenjimeve të ardhshme të Papës:ritet e Kohës së Ardhjes e të Krishtlindjes dhe vizita në një famulli romake.


(14.10.2007 RV)Ritet e Krishtlindjes dhe të solemnitetit të fillimit të Vitit të Ri 2008, vizita në një famulli romake, përkujtimi i kardinajve dhe ipeshkvijve që ndërruan jetë gjatë vitit të kaluar: këto janë disa nga kremtimet liturgjike e baritore, që Benedikti XVI do t’i kryesojë ndërmjet tetorit e janarit të ardhshëm, të publikuara nga Zyra e Kremtimeve Liturgjike.
Impenjimi i parë që njoftohet nga kalendari i veprimtarive papnore, tashmë është i njohur: bëhet fjalë për vizitën e Benediktit XVI në Napoli më 21 tetorin e ardhshëm. Dhjetë ditë më pas, më 5 nëntor, Papa do të jetë në Elterin e Katedrës, në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku do të kremtojë Meshën për shpirt të kardinajve dhe të ipeshkvijve të vdekur gjatë vitit 2007.
Më e dendur, veprimtaria e Papës gjatë muajit dhjetor, që do të hapet pasditen e parë të muajit, në orën 17.00, me kremtimin e lutjeve të para mbrëmësore të Kohës së Ardhjes. Në orën 16.00 të së shtundes së mëpasme, 8 dhjetor, në solemnitetin marian, Benedikti XVI do t’i bëjë homazhet tradicionale shtatores së Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës në Romë.
Të dielën e tretë të Ardhjes, më 16 dhjetor, Papa do të vizitojë një famulli romake; në orën 9.00 do të kremtojë Meshën Shenjte në Kishën e Zojës Rruzare e të martirëve Portuensë.
Më 25 dhjetor do të nisin kremtimet e mëdha festive: në mesnatën e Krishtlindjes, Mesha solemne në Bazilikën e Vatikanit; më pas Dita e Krishtlindjes, me bekimin ‘Urbi et Orbi’, që Papa do ta japë nga lozha qëndrore e Bazilikës. Më 31 dhjetor, në orën 18.00, gjithnjë në Bazilikën e Shën Pjetrit, Benedikti XVI do të kryesojë ‘Te Deum’, Lutjet e para të falënderimit drejtuar Zotit për vitin e kaluar, ndërsa një ditë më pas, më 1 janar 2008, do të kremtojë Meshën e solemnitetit të Nënës së Zotit, në përkim me Ditën e 41-të Botërore të Paqes.
Meshë të tjera, të kryesuara nga Benedikti XVI, do të jenë ajo e orës 9.00 e së dielës, 6 janar, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe e orës 10.00 të dielën e mëpasme, festa e Pagëzimit të Krishtit, në Kapelën Sikstine, me ritin tradicional të pagëzimit të fëmijëve. Së fundi, më 25 janar, Papa do të jetë në Bazilikën e Shën Palit për kremtimin e Lutjeve mbrëmësore, në festën e Të kthyemit të Apostullit të Popujve.
I ngarkuar edhe kalendari i lumnimeve të miratuara nga Benedikti XVI për muajt e ardhshëm. Vetëm ndërmjet 20 e 28 tetorit do të ketë pesë lumnime, i fundmi i të cilëve do të jetë lumnimi i 498-të martirëve të luftës civile spanjolle, që do të kremtohet në Bazilikën e Shën Pjetrit. Dy janë ritet e lumnimit të parashikuara për nëntorin në të cilat, ndërmjet tjerësh, do të lartohet në nderimet e elterit, më 18 të muajit, në Novara të Italisë, Shërbëtori e Hyjit, Antonio Rozmini.E një lumnim do të kremtohet edhe në dhjetor, në Brazil: është fjala për Shërbëtoren e Zotit, Lindalva Justo de Oliveira.







All the contents on this site are copyrighted ©.