Nesër në Zym të Hasit mbahen "Takimet e Gjeçovit 2007"
(12.10.2007 RV) Në Zym të Hasit, nesër, më 13 tetor, në orën 11, fillon
manifestimi "Takimet e Gjeçovit 2007". Në edicionin e 36-të të këtij aktiviteti
pritet të zbulohet lapidari i "Abetares së Zymit", të kremtohet 70-vjetori i lindjes
së shkrimtarit Anton Pashku dhe 10-vjetori i vdekjes së Nënë Terezës. Gjithashtu,
në "Orën e Anton Pashkut", poetë nga të gjitha trojet shqiptare do të lexojnë pjesë
nga krijimtaria e tij e pasur. Arbëreshët e Zarës do të marrin çmimin tradicional
"Atë Shtjefën Gjeçovi" për arritjet e tyre kulturore. Aktivitetit i shtohet edhe një
program i pasur i ansamblit "Katarina Josipi" të Zymit. Pjesëmarrësit në takim do
të vendosin lule mbi varrin e Atë Shtjefën Gjeçovit, Atë Luigj Palajt, Katarina Josipit
dhe Anton Pashkut. Sivjet botohet dhe promovohet edhe monografia "Takimet e Gjeçovit
1971-2006".