2007-10-12 17:06:08

Benedikti XVI përuroi rihapjen e Portës së Bronztë në Vatikan, pas dy vjet restaurimi: shenjë që tregon se Shtëpia e Papës është e hapur për të gjithë.


(12.10.2007 RV)RealAudioMP3 “U deshën dy vjet pune të bërë me mjeshtri e durim për t’ia rikthyer bukurinë e dikurshme një shtegu që dëshmon se Shtëpia e Papës është e hapur për të gjithë”. Me këto fjalë Benedikti XVI e nisi, sot paradite, ceremoninë e rihapjes të Portës së Bronztë, hyrja kryesore e historike në Pallatin Apostolik në Vatikan, restaurimi i së cilës filloi në vitin 2006.
Ishte fundi i viteve ‘20 të 1600-tës kur Gjon Batista Soria dhe Horac Çensori e meremetuan hyrjen e Pallatit Apostolik, duke i dhuruar një portë të re monumentale prej bronzi. Por porta e sotme, më të djathtë të Bazilikës së Vatikanit, që njihet me emrin Krahu i Kostandinit, u vendos më 1663 nga Gjan Lorenco Bernini, në përfundim të ndërhyrjes kolosale arkitektonike, që e zbukuroi Sheshin e Shën Pjetrit me shtyllnajën e njohur në të gjithë botën. Benedikti XVI kujtoi ngjarjet më të rëndësishme, që lidhen me Portën e Bronztë e cila – tha Papa – ka parë si rrjedhin shekujt e historisë kishtare e u ka bërë ballë tre sulmeve, duke nisur nga sulmi i Karlit X, tek ai i trazirave të Borgos. Ideja për restaurimin lindi gjatë përgatitjeve për kremtimin e Jubileut të 2000-shit – vijoi të shpjegonte Papa – por një ndërhyrje e tillë u bë e mundur vetëm në vitin 2006, kur Porta e madhe u çmontua dhe u restaurua sipas metodave teknike më moderne, që ia rikthyen bukurinë dhe funksionin. Benedikti XVI e përshkroi kështu Portën madhështore të Pallatit Apostolik:
“Pikërisht sepse është në hyrje të Shtëpisë së atij, që Zoti e ka thirrur t’i prijë, si Atë e Bari, mbarë popullit të Hyjit, kjo Portë merr vlerë simbolike e shpirtërore. Pragun e saj e kapërcejnë të gjithë ata që vijnë për t’u takuar me Pasardhësin e Pjetrit. E kalojnë shtegtarët e vizitorët, që shkojnë në zyrat e ndryshme të Pallatit Apostolik. Uroj nga zemra që të gjithë ata, të cilët hyjnë nëpër Portën e Bronztë, ta ndjenë që në hapin e parë se janë miqtë e Papës. Shtëpia e Papës është e hapur për të gjithë!”.Në përfundim të ceremonisë së shkurtër, Ati i Shenjtë falënderoi protagonistët e restaurimit, nga financuesit - tek mjeshtrat: Urdhërin e Kalorësve të Varrit të Krishtit dhe Kreditin Artizan nga njëra anë, e nga ana tjetër, Shërbimet Teknike të Governatoratit dhe Laboratorët e Restaurimeve të Muzeve të Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.