2007-10-12 17:07:59

128 vjet pas themelimit të "Shoqërisë të të shtypurit shkronja shqip”.


(12.10.2007 RV)Shfletojmë kalendarin: përkujtojmë themelimin në Stamboll të Shoqërisë të të shtypurit të shkronjave shqip, shembull bashkëpunimi ndërmjet përfaqësuesve të tri feve tradicionale në shërbim të çështjes atdhetare.
Më 12 tetor 1879, me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, u themelua në Stamboll "Shoqëri e të shtypuri shkronja shqip", e cila pak kohë më parë kishte botuar alfabetin shqip. Ishte shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia. Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare, që do të shihnin dritën në shtypshkronjën e shoqërisë së shqiptarëve të Bukureshtit. Në gjirin e saj bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut. Pas ndalimit të veprimtarive të saj, Shoqëria e shpërnguli selinë në Bukuresht, ku u shtypën shumë libra në gjuhën shqipe - ndër ta edhe veprat kryesore të Naim e Sami Frashërit. Atje u botuan edhe tekstet shkollore në gjuhën shqipe të shkruara nga Sami Frashëri: Abetar e gjuhësë shqip, Bukuresht 1886, Dheshkronjë, Bukuresht 1888 dhe Shkronjëtore e gjuhësë shqip, Bukuresht 1886, kjo e fundit - e para gramatikë shkollore e shqipes.







All the contents on this site are copyrighted ©.