2007-10-11 18:13:06

Kongresi i SHBA dënon genocidin armen nga Otomanët e lajmet e ditës…


(11.10.2007 RV)Genocidi armen kthehet rishtas në faqet e para të mjeteve të komunikimit. Komisioni i jashtëm i Kongresit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, me shumicë demokratike, miratoi një rezolutë që njeh zyrtarisht masakrën e Perandorisë Otomane mbi popullsinë armene gjatë Luftës I Botërore, ndërmjet viteve 1915 e 1916. Presidenti Bush i pati tërhequr vëmendjen Kongresit për dëmet që mund t’i shkaktonte një dokument i kësaj natyre marrëdhënieve me Turqinë, vend aleat e anëtar i Natos.
E ashtu siç parashikohej, Ankaraja reagoi ashpër, duke theksuar se kjo rezolutë është e papërgjegjshme dhe e miratuar në një çast tepër delikat e duke kërcënuar se do ta kufizojë mbështetjen e prapavijës për trupat amerikane në Irak. Për më tepër, kërcënoi se do të mbyllë edhe hapësirën ajrore turke për avionët ushtarakë.
Por nuk është vetëm problemi i shfarosjes së armenëve, që i vështirëson marrëdhëniet ndërmjet SHBA e Turqisë: kryeministri turk, Taip Erdoan ka njoftuar se mund të kërkojë autorizimin e parlamentit për një sulm ushtarak në veri të Irakut, kundër bazave të kryengritësve kurdë. Një sulm i tillë do t’i dëmtonte lidhjet e Turqisë me SHBA dhe me Bashkimin Evropian.
Irak: zjarri i guerriljes godet një shkollë fillore.
Në Irak, viti i ri shkollor e shkroi me gjak historinë e orëve të para të mësimit. Së paku 10 vajza e dy mësuese u plagosën dje nga disa predha mortaje, që ranë mbi një shkollë fillore në jug të Bagdadit.
E pranë aeroportit të kryeqytetit irakian, një nga bazat kryesore ushtarake të SHBA u sulmua gjatë natës. Gjatë ndeshjes, mbetën të vrarë dy ushtarë amerikanë, ndërsa 38 të tjerë u plagosën.
Divergjenca ndërmjet Francës e Rusisë për çështjen bërthamore iraniane.
Takimi i djeshëm i presidentit rus Putin e atij francez Sarkozi, nxori në pah qëndrimet krejt të ndryshme të dy vendeve lidhur me çështjen bërthamore iraniane, ndërsa krijohen mundësi bashkëpunimi ekonomik në frontin e energjisë.
Fushatë e re e Mjekëve pa Kufij për të luftuar urinë në botë
Ushqimi nuk mjafton. 20 milionë fëmijë në botë ushqehen në mënyrë të pamjaftueshme ose vuajnë nga uria. Për ta kapërcyer një situatë të tillë, duhen përdorur ushqime të posaçme mjekuese, që gjenden në treg prej më se dhejtë vjetësh. Por çmimi i lartë dhe prodhimi i paktë, e kanë penguar përhapjen e tyre masive. Mjekët pa Kufij, organizatë humanitare jo qeveritare, kanë filluar një fushatë-thirrje, në prag të World Food Day, për t’u kërkuar të gjitha institucioneve e qeverive që të bëjnë përpjekje konkrete për t’i përfshirë këto ushqime të posaçme në programet e tyre të ndihmave.







All the contents on this site are copyrighted ©.