2007-10-10 18:51:54

Çmimin Nobel për kiminë e fitoi shkencëtari gjerman Gerhard Ertl.


(10.10.2007 RV) Sipas motivacionit të Akademisë Mbretërore të Stokholmit, Ertl u vlerësua për studimet e tij në proceset kimike mbi sipërfaqet e ngurrta, studime që luajnë një rol kyç në industrinë kimike.
Në motivacionin e Nobelit shtohet edhe se shkenca e zhvilluar nga Ertl ka rëndësi të dorës së parë për industrinë kimike dhe mund të ndikojë për kuptimin e një sërë procesesh, që nga shkaku i ndryshkjes së hekurit gjatë funksionimit të baterisë së karburantit, tek puna e katalizatorëve në automobilat.
Kërkimet e tij shkencore kanë krijuar kushtet edhe për të kuptuar fenomene si vrimat e ozonit.
Nesër, rreth orës 13.00, Akademia e Suedisë do të njoftojë emrin e fituesit të Çmimit Nobel për letërsinë. Duke pritur njoftimin, kujtohen disa emra shkrimtarësh nga të katër anët e botës, që nga italiani Klaudio Magris, autor i romanit ‘Danubi’, tek australiani Lë Murrai, amerikani Filip Roth e suedezi Tomas Transtroemer.
Kujtojmë se Akademia Suedeze ka 18 anëtarë, nga të cilët, 5 gra. Për seleksionimin e shkrimtarëve të propozuar për çmimin, punon çdo vit Komiteti Nobel, i përbërë nga 5 anëtarë. Në përfundim të punës, Komiteti i paraqet Akademisë një listë të shkurtër me emrat e seleksionuar e, së fundi, të 18 anëtarët votojnë për të zgjedhur fituesin.Shkrimtari i parë që fitoi Çminin Nobel për letërsinë në vitin 1901, ishte francezi Sully Prudhomme; i fundmi në kohë, turku Orhan Pamuk, që fitoi vitin e kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.