2007-10-10 18:50:26

Kisha katolike përkujtoi Shën Daniel Kombonin.


(10.10.2007 RV)Të dielën e kaluar, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Benedikti XVI, pasi foli për 50-vjetorin e enciklikës së papës Piu XII ‘Fidei Donum’, që nxiti dhe inkurajoi bashkëpunimin ndërmjet Kishave për misionin në gjirin e të gjithë popujve, kujtoi sesi 150-vjet më parë, pesë meshtarë, ndërmjet të cilëve Daniel Komboni, u nisën për Afrikë. Po kush ishte Daniel Komboni?Shenjti, i njohur si apostull i Afrikës, lindi më 1831 në Limone mbi Liqenin e Gardës (Breshia) - mbylli sytë më 1881 në Afrikën e tij, në Khartum, i tretur nga ethet. Me vdekjen e tij u duk sikur vdiq edhe misioni i tij për shpëtimin e Afrikës, së cilës i kushtoi gjithë jetën, duke kërkuar bashkëpunimin e të gjitha forcave të Kishës. Për të siguruar misionarë, themeloi dy institute burrash e grash, të gatshëm për të dhënë jetën për Nigricinë. Bashkë me ta, arriti të depërtonte deri në zemrën e Kontinentit të Zi. Shumë prej bashkëpunëtorëve ranë pranë tij, të raskapitur nga ethet tropikale. Po ai u bëri ballë të gjitha vështirësive. Ishte i sigurtë se vepra e tij nuk do të vdiste, sepse e pati vënë nën mbrojtjen e Zemrës së Krishtit, që flijoi vetveten edhe për shpëtimin e afrikanëve.
Shenjtërimi i tij e vërteton këtë: tingëllon sot si thirrje e re për ndërhyrje botërore në favor të Afrikës.







All the contents on this site are copyrighted ©.