(09.10.2007 RV)Emri i Shenjtit, që Kisha katolike e kremtoi sot, duket në disa
dokumente të rëndësishme, të gjitha të shkruara rreth shekujve V-VI, siç janë ‘Jeta
e Shën Gjenovefës’, ku flitet për ndërtimin e Kishës së Shën Dionisit në Paris, në
vitin 475; vepra e historianit-poet, Venancio Fortunato, vdekur rreth vitit 600, që
përshkruan edhe ai kishën e Shën Dionisit në Paris dhe një kishë tjetër kushtuar Shenjtit
në Bordo e, së fundit, ‘Historia e frankëve’ e Shën Gregorit të Turit (vdekur më 594),
që përshkruan me hollësi jetën dhe martirizmin e Shën Dionisit. Çuditërisht në
veprat e këtyre autorëve, mungojnë të dhënat për shokët e tij të martirizimit e të
apostullimit, që ishin Rustiko, prift edhe Eleuteri, diakon. Emrat e tyre duken për
herë të parë në shekullin VI-VII në “Martiriologun Jeronimian”. Sipas traditës,
Shën Dionisi qe ipeshkvi i parë i Parisit, i dërguar në Gali nga papa Fabiani në vitin
250. U martirizua së bashku me Rustikon e me Eleuterin. Reliket e Shenjtit ruhen në
bazilikën ngritur mbi varrin e tij në vitin 495 nga Shën Gjenovefa. Pranë kësaj bazilike,
në shekullin VII, u ngrit edhe abacia e njohur, që mori emrin e Shën Dionisit. Emri
Dionis vjen nga latinishtja e do të thotë: i kushtuar Dionisit apo hyjnisë pagane,
Bakut. Simbolet e Shenjtit janë shkopi baritor e palma. Është i pranishëm në Martiriologun
Romak.